Ndërkombëtaret që morën BOREA-n e Pejës vonohen me procese, ja arsyeja

Edhe për gjashtë muaj është shtyrë nisja e ndërtimit të projektit “Borea” në Bjeshkët e Kopranikut të Pejës, projekt ky që kap vlerën prej 54 milionë eurove.

Lajme

20/03/2018 10:52

Kërkesa për shtyrjen e nisjes së këtij projekti erdhi nga dy kompanitë në konserciumi intaliano-zviceran “Leitner AG SPA & FILAV SA” fitues të tenderit për ndërtimin dhe menaxhimin e qendrës turistike, ani pse ky konsercium ka qenë i obliguar që deri në datën 3 mars të prezantojë para Komunës së Pejës tri projekte të ndërtimit të kësaj qendre turistike.

 E kërkesa për shtyrjen e afatit e nisjes së projektit, sipas tyre ka qenë situata politike që po mbizotëron muajt e fundit në Kosovë, kështu ka treguar për Ndërtimi.info, shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Durim Shermeti.Sheremeti i tha Ndërtimi.info se konserciumi ka kërkuar shtyrje të afatit për katër muaj, por që komuna ka dhënë afat për gjashtë muaj, në mënyrë që konserciumi të mos ketë më mundësi të kërkoj shtyrje tjetër të afatit.

“Kompanitë konsercium ia kanë drejtuar Komunës së Pejës një kërkesë që ta shtyjmë afatin për shkak të gjendjes politike e cila ka mbizotërua këto muajt e fundit në Republikën e Kosovës dhe e kanë shty këtë afat përshkak që presidenti i konserciumit bashkë me investitorët kryesor kanë pas me ardh por përshkak të tyre është shtyrë vizita e dhe kanë kërkuar me shty afatin për katër muaj. Ndërsa Komuna e Pejës e ka shfrytëzuar drejtën e tyre dhe e kemi shtyrë afatin konform afatit që kemi pasur. Për katër muaj është kërkesa, ndërsa në kontratën që kemi pas ne e kemi gjashtë muaj, ne e kemi shty gjashtë muaj që mos mi lënë mundësi konserciumit që me na bërë kërkesa tjera për shtyrje kështu që kemi realizuar gjashtë muajshin komplet”, tregoi Sheremeti.

Pas kësaj shtyrje siç tregon Sheremeti nuk ekziston një mundësi tjetër që lejon shtyrje të afatit. Megjithatë ai po thotë se edhe përkundër kërkesës për shtyrje e rëndësishmja e gjithë kësaj është se aktiviteti i konserciumit nuk është ndalë dhe se ata po vazhdojnë me matjen dhe dizajnimin e hoteleve atje.

“Nuk ka mundësi konserciumi të kërkoj më shtyrje të afatit për shkak kontratës të cilën e kemi specifikuar. Është një gjë që duhet me pas parasysh që konserciumi nuk e ka ndal aktivitetin e tyre ata edhe sot edhe gjatë gjithë javës së kaluar kanë punuar në matjen dhe dizajnimin e hoteleve, pra në pikënisje gjithashtu edhe në trase”, tha ai.

Gjithë komunikimi mes komunës dhe konserciumit ka qenë nëpërmjet e-maileve. Për kërkesën e konserciumit komuna ka njoftuar edhe departamentin e partneritetit publiko-privat.

“Me tregu drejt ne kontakt kemi pas vetëm kontakt zyrtar që kanë bërë kërkesë në zyrën e prokurimit me të cilën mandej kemi  njoftuar edhe departamentin e  partneritet publiko-privat e kemi njoftuar edhe për shtyrjen e këtij afati për ato arsyeje. Në kërkesën e tyre janë të specifikuar arsyet për çka kanë kërkuar shtyrjen e afatit”, shpjegoi Sheremeti.

Në rast të dorëzimit të planeve për dukjen e “Borea”-s dhe pasi të zgjidhej njëra prej tyre në radhë do të ishin procedurat e nxjerrjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për nisjen e realizimit të projektit në terren. Në momentin që do të kryhej edhe kjo procedurë e nxjerrjeve të dokumentacioneve, do të fillonte implementimi I projektit i cili do të duhej të përfundonte brenda 18 deri në 24 muaj, sipas dinamikës që ka prezantuar konserciumi.

Konserciumi fitues do të menaxhoj për 40 vjet këtë qendër turistike  e cila do të ndërtohet ën një sipërfaqe prej 2 mijë e 20 hektarë tokë.

Ky konsercium do ta ndërtoj teleferikun me 68 kabina, i cili do të jetë i gjatë diku 4200 metra, dhe është teleferiku i dyte më i madh në Evropë

Ndryshe, me aprovimin nga Komiteti për Partneritet Publiko-Privat i Qeverisë së Kosovës të kontratës së nënshkruar në mes Komunës së Pejës dhe konserciumit intaliano-zviceran “Leitner AG SPA&Filav SA”, në muajin gusht të vitit të kaluar (2017) kanë përfunduar të gjitha procedurat ligjore për partneritet publiko-privat./Ndërtimi.info/