Ndalimi i udhëtimeve, Supremja vendos në favor të Trump

Gjykata Supreme i dha presidentit Trump një fitore të përkohshme, duke bllokuar vendimin e një gjykate të një shkalle më të ulët, që rriste ndjeshëm numrin e njerëzve që shmangnin ndalimin kontradiktor të udhëtimit drejt SHBA-ve.

Bota

13/09/2017 13:46

Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ndalimin e udhëtimeve në tërësi muajin e ardhshëm, por debati aktual ishte se cilët emigrantë dhe refugjatë mund të hynin në SHBA gjatë kësaj kohe. Kjo do të thotë se, urdhri nuk është fjala e fundit e Gjykatës Supreme për këtë çështje, por sidoqoftë, fakti që lejon administratën të vendosë së kush hyn në SHBA për momentin është një fitore për Trump.

Megjithatë, ekspertët thonë se është e paqartë se çfarë do t’i mbetet gjykatës të vendosë më vonë. Ndalimi 90-ditor i udhëtimeve nga 6 vende me shumicë kryesisht myslimane skadon në fund të shtatorit, ndërsa ndalimi 120-ditor i refugjatëve të tërësi skadon një muaj më vonë.

Me pak fjalë, problemi zgjidhet vet pas pak kohësh, ndërsa pritet se çfarë do të bëjë administrata, nëse do t’i rinovojë ndalimet, do t’i bëjë të përhershme apo do t’i shtrijë edhe në vende të tjera.

Një pjesë e analistëve thonë se vendimi i Gjykatës Supreme është më shumë diplomatik, sesa në fushën e drejtësisë. Vendimi i jep një fitore të vogël qeverisë dhe, nëse kjo e fundit nuk merr më asnjë masë, çdo kufizim mbaron pas pak javësh dhe të gjithë janë të kënaqur. /TopChannel/