NATO, Rusia është ende në gjendje ta destabilizojë Ukrainën

Sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se armëpushimi në Ukrainë “ofron një mundësi”, por Rusia ende ka fuqi për destabilizimin e Ukrainës.

Bota

01/10/2014 17:53

Këto komente ai i bëri sot në Bruksel, në konferencën e parë të tij për gazetarë, në postin e lartë në NATO, njofton REL.

Stoltenberg tha se Rusia duhet të bashkëpunojë me të drejtën ndërkombëtare dhe të demonstrojë se i respekton obligimet e veta ndërkombëtare.

“Ne shohim shkelje të armëpushimit” në Ukrainë, tha shefi i ri politik i NATO-s.

Stoltenberg, megjithatë, tha se nuk sheh kundërthënie ndërmjet aspiratave për raporte konstruktive me Rusinë dhe qëndrimit në favor të NATO-s së fuqishme.

Jens Stoltenber, ish-kryeministër i Norvegjisë, në dy mandate, është sekretari i përgjithshëm i 13-ë i aleancës gjatë ekzistimit të saj 65 vjeçar.

Para tij, në këtë post ishte ish-kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen.