Mytaher Haskuka mbyll një çerdhe në Prizren, me arsyetimin se janë gylenistë

Inspektorati i Komunë së Prizrenit kanë kërkuar që të lirohet objekti i çerdhes dhe shkollës fillore “Yllka” në këtë komunë, e cila vepron në kuadër të Kolegjit “Mehmet Akif”.

Lajme

20/08/2018 15:47

Zëvendësdrejtori i shkollës “Yllkat”, i cili tha se po flet në emër të drejtorit, Mahmut Yaman, tha për KALLXO.com se një grup inspektorësh dhe disa zyrtarë policorë kanë kërkuar lirimin e objektit me urdhër të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Zëvendësi i drejtorit tha se Yaman nuk është arrestuar dhe se tash gjenden në shkollë.

“Me drejtorin nuk ka ndodhë asgjë, ai është shëndosh e mirë nuk ka asnjë problem as nuk është arrestuar. Thjeshtë është një grup inspektorësh nga komuna dhe kanë kërkuar që objekti të lirohet. Ata kanë ardhur me një urdhër të kryetari të komunës për të liruar objektin dhe personelin. Personeli nuk e ka pranuar sepse ai nuk është vendim logjor dhe vetëm nëse ka vendim të gjykatës atëherë e lirojnë”, tha ai.

Ai tha se janë në pritje që komuna të zmbrapset nga ky vendim.

“Kemi dhënë një orë kohë që ky urdhër të anulohet, po presim çfarë po ndodh. Drejtori është në objekt të shkollës. Policia janë këtu vetëm për të mbajtur rregullin dhe qetësinë. As nga ana jonë dhe as nga e komunës nuk ka ndonjë tentativë për dhunë”, shtoi zyrtari i këtij institucioni arsimor.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri e konfirmoi se kryetari Mytaher Haskuka dhe Drejtoria e Administratës kanë marrë vendim për lirimin e objektit të kopshtit dhe shkollës “Yllka”.

“Kjo nuk ka të bëjë me Drejtorinë komunale për Arsim, është një vendim të cilin e ka marrë kryetari i Komunës në konsultim me drejtorin e Administratës sepse ajo çerdhe i ka mbi 10 vite që nuk menaxhohet nga Drejtoria komunale për Arsim. Ata kanë pasur një marrëveshje në vitin 2007 mes Administratës komunale, kryetari të komunës dhe menaxhmentit të çerdhes sepse s’kanë mujt me mbulu me buxhet atë dhe ka kaluar në partneritet publiko-privat me sa e di unë pastaj ia ka dhënë Mehmet Akifit. Marrëveshjet mes tyre nuk janë përmbajtur”, tha Susuri.