Mustafa viziton Gjilanin, zotohet për përkrahje në disa fusha

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar me ministra të kabinetit qeveritar, ka vizituar sot Komunën e Gjilanit.

Lajme

14/04/2016 16:23

Mustafa së bashku me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri, ndalesën e parë në këtë qytet e ka bërë në Fabrikën e Radiatorëve “Enrad”, për të vazhduar me vizitën në Shtëpinë e Rinisë dhe më pas ka marr pjesë në inaugurimin e Parkut Dardania.

Gjatë vizitës në Fabrikën “Enrad”, e cila pas privatizimit ka të punësuar mbi 200 punëtorë dhe eksporton në dhjetë vende të ndryshme, kryeministri Mustafa u zotua për përkrahje më të madhe në sektorin e prodhimit.

Kryeministri ka vlerësuar se kjo fabrikë është një shembull i privatizimit i cili sipas tij, ka shkuar mjaft vështirë por për fat të mirë i cili është treguar shumë i suksesshëm falë një ndërmarrësie dhe një insistimi që firma të aktivizohet.

“Sot kemi pjesëmarrjen e kësaj firme në tregun regjional dhe në tregun evropian, eksportin e produkteve mbi dhjetë vende, që është për ne e rëndësisë themelore. Kemi një përmirësim maksimal të cilësisë dhe të konkurrencës, sepse pa qenë konkurrente është vështirë të eksportohet jashtë, dhe po ashtu kemi një ringjallje të sektorit të prodhimit i cili në Kosovë na mungon dhe për të cilin jemi shumë të interesuar që ta përkrahim”, citohet të ketë thënë Mustafa, në një njoftim nga zyra e tij, transmeton lajmi.net

Mustafa ka shtuar se do të shikohet edhe çështja e importimit të materialit i cili nuk prodhohet në vend dhe që shfrytëzohet për këto produkte, në mënyrë që të zbutet konkurrenca me vendet fqinje.

“Natyrisht duhet një përkrahje më e mirë e sektorit bankar përmes kredive më cilësore dhe më të përshtatshme për sektorin e prodhimit për të cilin ne jemi të interesuar që ta zhvillojmë”, tha kryeministri.

Pronari i Fabrikës “Enrad”, Mejdi Rexhepi, falënderoi kryeministrin për vizitën, duke e cilësuar si inkurajim që tash e tutje të punohet edhe më shumë në rritjen e kapaciteteve por edhe të biznesit në përgjithësi.

Më pas, kryeministri Mustafa, pati një bashkëbisedim me studentët në Shtëpinë e Rinisë në Gjilan, duke parë nga afër hapësirat të cilat i dedikohet studentëve të Gjilanit.

“Për neve është me rëndësi që komuna të investoj për rininë, që të krijohet një hapësirë në të cilën të rinjtë kanë mundësi të komunikimit, të këmbimit të mendimeve, të avancimit të dijeve”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa ka shprehur përkushtimin e Qeverisë që të investojë për rininë dhe në objekte që dedikohen si qendra kulturore, rinore dhe sportive.

“Na kanë mbet mjaft shumë objekte sportive të cilat mund të investojmë dhe t’i përfundojmë, dhe jemi të interesuar që ato t’i përmbyllim dhe jemi të interesuar që edhe me futbollin përfundimisht të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, UEFA dhe FIFA dhe do të bëjmë përpjekje që këtë ta përmbyllim gjatë muajit maj, që do të jetë një sukses veçmas për rininë, sepse e dimë çfarë janë simpatitë dhe kërkesat e juaja për sportin”, tha kryeministri Mustafa.

Kryetari i Gjilanit, Lufti Haziri, tha para studentëve se investimet në kulturë, rini dhe sport në Gjilan janë 1 milion e 200 mijë euro.

“Me mbështetje të Qeverisë dhe me fonde të Komunës jemi në rinovim të teatrit dhe jemi në përzgjedhje të projektit të stadiumit të qytetit, duke u bërë gati për gara ndërkombëtare po ashtu dhe në investime tjera që do t’i kemi në promovim. Në këtë objekt do të vendosen edhe organizatat e studentëve, organizatat e shkollave të mesme dhe OJQ-të që merren me probleme të rinisë. Po mundohemi t’i pavarësojmë në menaxhim, por t’i subvencionojmë me buxhet në mënyrë që të sigurohet qëndrueshmëri financiare”, tha Haziri.

Kryeministrit Mustafa gjatë qëndrimit në Gjilan ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të parkut në lagjen Dardania të këtij qyteti, pjesë e projektit “Kosova e Bukur”, bashkëfinancim mes Komunës së Gjilanit, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe me përkrahje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Në këtë inaugurim ishin të pranishëm edhe shefi i zyrës së BE-së\Përfaqësues Special i BE-së, Samuel Zhbogar, zëvendëskryeministri Kujtim Shala si dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Ky park është një dëshmi e shfrytëzimit të qëlluar të fondeve nga Bashkimi Evropian, të një projekti të përbashkët me Komunën, por edhe mbështetjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë ndërtimit, duke shfrytëzuar njerëzit që kanë qenë në asistencë për të kryer punë në këtë park dhe mendoj se është një vlerë e veçantë që tregon se ne fondet po i shfrytëzojmë në mënyrë të qëlluar, po i shfrytëzojmë për projekte të qëlluara dhe tregon se ne do të jemi në gjendje që edhe fondet të cilat burojnë nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim t’i shfrytëzojmë në këtë formë dhe në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri.

Duke theksuar se ky projekt do të ketë rezultate të shumëfishta për qytetarët dhe do të shfrytëzohet për nevoja kulturore dhe sportive, kryeministri Mustafa  tha se Qeveria do të përkrah vazhdimisht projekte të tilla.

“Do ta përkrahim Gjilanin në ndërtimin e infrastrukturës rinore, sportive dhe ambientale”, tha kryeministri

Shefi i zyrës së BE-së\Përfaqësuesi Special i BE-së, Samuel Zhbogar, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti.

“Jam i lumtur që këtë gjë po e bëjmë vetëm dy javë pasi hyri në fuqi Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim. Për shkak se në frymën e MSA-së, ky projekt nuk rezultoi vetëm me bërjen e një parku të mirë dhe ambienti të mirë për banorët e Gjilanit, por po ashtu ka krijuar punë për shumë njerëz për një periudhë të caktuar kohore. 92 vende punë janë krijuar gjatë zbatimit të këtij projekti dhe 72 prej tyre ishin të papunësuar për një kohë të gjatë”, ka thënë Zhbogar.

Kryetari i Komunës, Lufti Haziri, ka bërë të ditur se ambienti i përuruar është bërë në bazë të kërkesë së banorëve të kësaj zone.

“Para se të bëhej Park Dardania, ka pas ide këtu të ndërtohet qendra tregtare, banesa, ndërtim, të komercializohet zona si e tillë, por në një diskutim dhe debat publik me qytetarët e kësaj lagjeje, ne i kemi dëgjuar ata. Ata kanë kërkuar që këtu të ndërtohet park, kopsht, kanë identifikuar kërkesat e veta, dhe ne e kemi mbështet si të tillë, dhe kemi realizuar një kërkesë të kamotshme të banorëve të lagjes Dardania”, ka bërë të ditur Haziri.

Kryetari Haziri ka bërë të ditur se pjesa e dytë e punës së Komunës do të jetë ndërtimi i çerdhes së fëmijëve dhe këndit të lodrave për fëmijë të moshës 3-6 vjeç, që do të bëhet po në këtë lagje. /lajmi.net