Mustafa: S’ka arsye të shtyhen zgjedhjet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se nuk ka arsye që të shtyhet data e zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara më 8 qershor.

Lajme

06/06/2014 18:59

Mustafa në një konferencë për media, ka thënë se rreziku tashmë ka kaluar dhe se atyre u mbetet vetëm t’i përkushtohen kësaj ngjarje dhe t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë. 

“Nuk kam kërkuar në asnjë rast shtyrjen e zgjedhjeve, më kanë pyetur kur isha te Qendra Klinike Universitare se çka do të bëni më tej në qoftë se do të ishte situata e tillë për t’u shtyre zgjedhjet dhe kam thënë që së pari duhet të vlerësohet situata dhe ne vlerësojmë se nuk është asnjë situatë për shtyrjen e zgjedhjeve sepse nuk ka më rrezik të shpërndarjes së kësaj situate. Situata është nën kontrollin e plotë prandaj zgjedhjet mbahen ashtu si janë planifikuar”, ka deklaruar Mustafa. 

Gjatë kësaj konference Mustafa ka thënë se ngjarja që ka ndodhur sot ka bërë që të gjitha aktivitetet zgjedhore të LDK-së, të anulohen. 

Ai ka shprehur dhimbje për viktimat e mundshme të cilët kanë pësuar nga eksplodimi, ndërsa ka deklaruar se pas përfundimit të kësaj ngjarje do të shihet se ku janë problemet dhe sipas tij nëse dikush është fajtor për këtë që ka ndodhur duhet të jepet përgjegjësi. (Kosovapress)