Mustafa: Podujeva është anashkaluar nga qeverisja e PDK-së

Isa Mustafa ka kritikuar qeverisjen aktuale se ka lënë anash, bastionin e LDK-së, rajonin e Llapit. Ai premtoi se me një qeverisje të LDK-së, komunës së Podujevës do t’i kthehen investimet. 

Lajme

05/06/2014 19:54

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një tubim në elektoral në Podujevë tha se ky qytet në shtatë vitet e shkuara është diskriminuar nga Qeveria PDK-së, e cila nuk ka investuar asgjë në këtë pjesë të Kosovës.

“Ju duhet të votoni LDK-në e cila ia kthen Podujevës meritat. Gjatë kësaj qeverie Podujeva ka qenë e diskriminuar nga Qeveria e Kosovës. Këtu nuk është investuar, rruga për Podujevë ka mbetur e pa ndërtuar, dhe këtë rrugë ju garantojë se do ta ndërtojmë ne, do të bëjmë investime të mëdha, do t\’i japim mundësi llapjanëve për punësim dhe zhvillim”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se do të investojmë në të gjitha fushat, duke përfshirë bujqësinë dhe të gjitha fushat tjera. “Qeveria ime do ta subvencionojë prodhimin për tri herë dhe do ta rritim investimet në zhvillim dhe punësim”, tha ai.

Kreu i LDK-së, ka thënë se fitorja e LDK-së është fitore në këtë pjesë të Evropës dhe njëkohësisht do të jetë fitore e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Llapi dhe Podujeva janë argumenti më i mirë që këtë trevë dhe gjithë Kosovën ta ndërtojmë me punën tonë, me djersën tonë. LDK është e vetmja parti e cila tani dhe përpara i ka ofruar Kosovës lidershipin më të mirë, i ka ofruar Presidentin Rugova i cili e ka udhëhequr këtë vend, më së miri. Llapi i ka qëndruar besnik Rugovës që nga fillimi sepse, përherë ka votuar për LDK-në”.

“Ne nuk kemi dëshirë që të dëgjojmë gjëra të pavërteta as në fushatë dhe as pas fushate. Ne nuk kemi dëshirë që të votohen të pavërtetat dhe iluzionet, ne ju ftojmë që të votohet një program qeverisës, i cili ju ofron punë qytetarëve të Kosovës”, tha ai.