Mundësi të mira për vetëpunësim dhe punësim të grave në zonat rurale

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të mbështesë gratë fermere, duke iu dhënë përparësi në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Lajme

03/04/2015 19:34

Kështu tha Ministri i MBPZHR-së, Memli Krasniqi gjatë një takimi që pati me drejtueset e Shoqatës Afariste të Gruas, SHE -ERA.

Ai i njoftoi ato me programin e sivjetshëm për mbështetje të fermerët, ku theksoi faktin se ka me shumë mundësi dhe më shumë buxhet.

Ministri tha se edhe këtë vit në kriteret për vlerësimin e projekteve, gratë fermere do të kenë përparësi, kjo me qëllim të stimulimit të tyre për t’u angazhuar në biznese të ndryshme në fushën e bujqësisë.

Ai tha se përveç kësaj, në programin e sivjetshëm, gratë në zonat rurale kanë më shumë mundësi, pasi janë shtuar edhe nen-sektorë të ndryshëm që do të mbështeten, si punët artizanale, kultivimi i produkteve bujqësore, projekte të ndryshme të turizmit rural dhe fusha të tjera. Këto, shtoi ministri, krijojnë mundësi të reja për vetëpunësim dhe punësim të grave në zonat rurale në veçanti.

Ministri deklaroi se programet në vazhdimësi do të hartohen në bashkëpunim me të gjitha palët e interesit, dhe ne këtë drejtim edhe me shoqatën SHE-ERA.

Nga ana tjetër, Mirlinda Kusari – Purrini, falënderoi ministrin për pritjen dhe mbështetjen e dhënë deri më tani. Ajo e informoi ministrin për projektet e realizuara deri më tash dhe për planet për të ardhmen.