MSH paguan 32 euro produktin e 7 eurove

Një litër e produktit “Barium sulphate” për pacientët mund të gjendet në treg me çmim i cili sillet nga 7-11 euro, por ky çmim nuk vlenë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë.

Lajme

11/12/2014 08:15

Kjo ministri gati qe dy vjet paguan për një litër të këtij preparati 32.6 euro. Kontrata është nënshkruar në korrik të vitit 2013 dhe është kontratë kornizë për 24 muaj, shkruan sot Koha Ditore.

MSh-ja nuk ka arritur të arsyetojë se pse që nga korriku i viti 2013 po e paguan këtë çmim. Në mënyrë të përgjithësuar janë arsyetuar me mungesën e listës me çmime referente.

“Unë sot nuk kam mundur të siguroj ndonjë kopje të kontratës për produktin në fjalë që t’ju konfirmoj ose mohoj blerjen e produktit me çmimin e përmendur, por, sipas informacioneve që kam, në Kosovë as në sektorin shëndetësor e as në sektorët e tjerë nuk ka një listë të çmimeve referente”, ka thënë drejtori i Departamentit për Informim në MSh, Faik Hoti.

Por, më pak se një muaj para nënshkrimit të kësaj kontrate, MSh kishte përgatitur një raport me preparatet e listës esenciale, furnizimin e instititucioneve publike shëndetësore me këtë preparat, sasinë dhe çmimin e fundit me të cilin MSh e ka blerë preparatin në fjalë.