MPB lansoi vlerësimin e perceptimeve mbi Radikalizimin

 Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) lansoi Raportin Vlerësimi i gjerë i perceptimeve mbi radikalizimin në nivel të komunitetit në Kosovë, i cili u përgatit me mbështetjen teknike të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në një konferencë për media që u mbajt sot paradite.

Lajme

19/05/2017 12:40

Në fjalën e tij të rastit, Ministri Hyseni ndër të tjera theksoi: “Do të doja të theksoja se Kosova, në rrethanat e saj aktuale, ka shfaqur rezultate spektakolare në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Përparimi i Kosovës në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm (PVE) nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunim të ngushtë dypalësh midis MPB dhe vendet tjera evropiane, ICITAP-in, dhe pa mbështetjen bujare të UNDP-së “.

“Karakteri sekular i Kosovës është një interes kyç afatgjatë për vendin. Ne duam një Kosovë siç është, multikulturore, multietnike dhe shumëkonfesionale”, u shpreh më tej Ministri Hyseni.

Vlerësimi kishte për qëllim mbledhjen e perspektivave të reja dhe kuptimin e faktorëve të identifikuar që veprojnë si shtytës të radikalizimit në Kosovë – veçanërisht në nivel lokal. Hulumtimi ka qëllim të caktuar të vlerësimit të perceptimeve të radikalizimit në nivel komuniteti në Kosovë, rolit të perceptuar të bashkëmoshatarëve, institucioneve arsimore, udhëheqësve fetarë, mësimdhënësve dhe komuniteteve si dhe rolit dhe ndikimit të perceptuar të mediave, internetit dhe mediave sociale në rekrutimin dhe radikalizimin në Kosovë.

Objektivi kyç i vlerësimit është të sigurojë njohuri që mund të plotësojnë më tej strategjinë kombëtare të Kosovës dhe institucionet e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm./Lajmi.net/