Mos i pengoni punimet në rrugë

Isa Mustafa u ka thënë banorëve të Lagjes së Spitalit se komuna është e gatshme që ta zgjeroj dhe asfaltojë rrugë ‘Holgen Petersen’ nëse pronarët e pronave skaj rrugës nuk i pengojnë punimet.

Lajme

27/10/2013 12:06

Kryetari i Komunës së Prishtinës, i cili është pjesë e garës në zgjedhjet e 3 nëntorit, Isa Mustafa, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Lagjes së Spitalit, ka kërkuar prej tyre të mos pengojnë punimet në zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës ‘Holgen Petersen’.

Mustafa u ka thënë atyre se komuna është e gatshme që ta zgjeroj dhe asfaltojë këtë rrugë nëse pronarët e pronave skaj rrugës nuk i pengojnë punimet.

“Komuna është e gatshme që të gjitha mosmarrëveshjet me banorët e lagjes t’i zgjidh me mirëkuptim, me qëllimin e vetëm për përmirësimin e jetës së banorëve dhe përmirësimin e shërbimeve publike për ata”.

“Zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës, është në interes të të gjithë banorëve të kësaj rruge të Lagjes së Spitalit dhe ajo nuk do të dëmtojë interesat e asnjë qytetari”.

“E gjithë puna e organeve komunale është e drejtuar në qëllimin e vetëm që të përmirësohen të gjithë shërbimet publike që ofron nga komuna, jo vetëm në Lagjen e Spitalit, por në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Prishtinës”.

Maliq Krasniqi, përfaqësues i kësaj lagjeje, ka thënë se Mustafa dhe përfaqësuesit e tjerë të Komunës së Prishtinës, kanë qenë gjithmonë të gatshëm që banorëve të kësaj lagjeje t’ju dalin në ndihmë me projekte konkrete që kanë pas për qëllim përmirësimin e jetës së banorëve, transmeton Zyra për Informim e LDK’së.

Isa Mustafa sot ka vizuar edhe lagjet Mati 1 dhe Mati 2 dhe ka biseduar me banorët për mbarëvajtjen e projekteve të zbatuara nga komuna e Prishtinës në këtë zonë të qytetit.

Gjatë vizitës në rrugën “Malush Kosova”, në Lagjen  Mati 1, kryetari Mustafa është pritur nga përfaqësuesi i lagjes, Azem Pacolli, me të cilin ka biseduar për projektet që do t realizohen në këtë zonë të qytetit.