Monitoron zgjedhjet

Zyrtarë të Institucionit të Avokatit të Popullit janë certifikuar si monitorues nga KQZ. Ditën e zgjedhjeve do të jenë pjesë e ekipeve lëvizëse që do të monitorojnë procesin zgjedhor nëpër qendrat e vendvotimeve.

Lajme

26/10/2013 11:30

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), në përmbushje të misionit të tij për të mbrojtur, mbikëqyrur dhe promovuar të drejtat dhe liritë e individit, do të jetë pjesë aktive e monitorimit të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit 2013.

“Duke pasur parasysh numrin e madh të vendvotimeve gjithandej nëpër Kosovë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit më shoqërinë civile në monitorimin e këtyre vendvotimeve, në një takim të përbashkët me Koalicionin e Organizatave Joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’, është arritur në parim pajtimi i dyanshëm  për të bashkëpunuar ngushtë gjatë ditës së zgjedhjeve, qoftë në monitorimin e vendvotimeve dhe procesit të votimit, qoftë në shkëmbimin e informacioneve nga qendrat e votimit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga ky institucion. 

“Tashmë zyrtarë të IAP’së janë certifikuar si monitorues nga ana e KQZ’së dhe ditën e zgjedhjeve ata do të jenë pjesë e ekipeve lëvizëse që do të monitorojnë procesin zgjedhor nëpër qendrat e vendvotimeve”.