Mogherini: S’ka marrëveshje, por ka përafrim qëndrimesh

Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka thënë se në takimin e sotëm, ani pse nuk është arritur asnjë marrëveshje në lidhje me temat e diskutuara, ka pasur përafrim mes palëve.

Lajme

23/06/2015 21:03

“Sot prita në një takim të nivelit të lartë për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, Kryeministrin Isa Mustafa dhe Kryeministrin Aleksander Vucic”.

“Në takim, diskutimi ishte i përqendruar në zbatimin e çështjeve të energjisë, telekomit, themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë dhe për lirinë e lëvizjes/urën e Mitrovicës. Është arritur progres i mirë në të gjitha çështjet. Ekipet tona do të vazhdojnë të punojnë në këto katër çështje në orët në vijim dhe do të ritakohemi shumë shpejtë ditëve të ardhshme për t’i finalizuar marrëveshjet”, ka thënë Mogherini, raporton Koha.net.

Ajo ka bërë me dije se Memorandumi i Mirëkuptimit për Sigurimet e Makinave nga palët e treta është nënshkruar në margjina të takimit.