MKRS prezanton projektet në Viti dhe Gjilan

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala sot vizitoi komunën e Vitisë dhe atë të Gjilanit për t’i dhënë mbështetjen këtyre dy komunave, duke prezantuar projekte konkrete për ndërtimin e palestrës sportive në Zhegër dhe renovimin e muzeut të shkollës së parë shqipe në Stubëll të Vitisë.

Lajme

10/02/2016 20:06

 

Në Komunën e Vitisë së bashku me ministrin Shala ishte edhe sekretari i përgjithshëm i MRKS-së, Veton Firzi, i cili së bashku me kryetarin i kësaj komune, Sokol Haliti, nënshkruan një memorandum bashkëpunimi për renovimin e muzeut të shkollës së parë shqipe në Stubëll.

Renovimi i këtij muzeu do të kushtojë 28 mijë euro, ku prej kësaj shume 25 mijë janë investim i MRKS-së.

Ministri Shala, në lidhje me këtë memorandum bashkëpunimi tha se ministria që ai udhëheq do të vazhdojë me investime kapitale në Komunën e Vitisë.

“Ne do të vazhdojmë investimet kapitale, investime të rëndësishme në këtë komunë.. Historia kulturore, historia e vërtetë dhe politike e Kosovës – dhe për këtë neve na duhet jo vetëm ndihma dhe puna e institucioneve, por edhe e të gjithë qytetarë ve”, tha Shala.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti theksoi se qeverisja lokale në këtë komunë ka treguar se ka kujdes për trashëgiminë kulturore.

“Në punën tonë rreth rivitalizimit që kemi filluar kohë më parë, rreth shkollës së parë shqipe, kemi treguar si qeverisje komunale se kemi kujdes ndaj kësaj trashëgimie kulturore historike”, tha ai.

Pas Vitisë, ministri Kujtim Shala vizitoi edhe fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit, ku së bashku me kryetarin e komunës së Gjilanit Lutfi Hazirin, shkuan në vendin ku MRKS-ja së bashku me komunën e Gjilanit do të ndërtojnë një palestër sportive me vlerë prej 650 mijë euro.

Ata gjithashtu vizituan edhe Shtëpinë e Kulturës “Idriz Seferi” në Zhegër.

Ministri Shala tha se do t ë shikohet mundësia për krijimin e një fondi investiv për renovimin dhe mirëmbajtjen e Shtëpisë së Kulturës.

“Do të shikojmë mundësinë që brenda këtij viti ne të krijojmë një fond investiv për renovimin dhe mirëmbajtjen e Shtëpisë së Kulturës në Zhegër. Po ashtu, do të vazhdojmë të komunikojmë me komunën që t’i shohim nevojat tjera të fushës së rinisë, kulturës, sportit dhe në përputhje me mundësitë që kemi , ne do të ndihmojmë ose të investojmë në tërësi projekte të cilat komuna do t’i zgjedh së bashku me qytetarët”, theksoi ministri.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Litfi Haziri theksoi se është në përfundim ndërtimi i shtëpisë së Rinisë në Gjilan dhe se do të fillohet me ndërtimin apo renovimin e plotë të stadiumit të qytetit.

 

“Ne jemi përfitues të 1.3 milionë eurosh në kornizë afatmesëm në planifikime buxhetore, kryesisht që merr kultura, rinia dhe sporti në Gjilan. Paralelisht me këto projekte ne jemi në përfundim të Shtëpisë së Rinisë në Gjilan dhe në fillim të ndërtimit apo renovimit të plotë të stadiumit të qytetit, që është projketi më i madh, paralelisht me palestrën e sporteve në Zhegër”, shtoi Haziri.

MKRS-ja ka intensifikuar interesimin për investime në sektorin kulturor dhe sportiv nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Paraprakisht, ministri Shala ka vizituar disa komuna të tjera, si Ferizajin dhe Kaçanikun, ku ka prezantuar projektet e tij në kuadër të ministrisë. /Kp