Mjaltë e artë nga Deçani

Ndërtimi i kësaj fabrike, që është një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, është ndërtuar me ndihmën e Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve për zhvillim ekonomik, e njohur si EURED.

Lajme

23/01/2014 18:19

“Golden Honey” quhet Fabrika e Mjaltit në Deçan, e cila u përurua sot solemnisht. Ajo do të bëjë prodhimin, grumbullimin, paketimin dhe distribuimin e produkteve të mjaltit.

Ndërtimi i kësaj fabrike, që është një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, është ndërtuar me ndihmën e Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve për zhvillim ekonomik, e njohur si EURED.

Në ceremoninë e përurimit të kësaj fabrike mori pjesë Christof Stock, Udhëheqës i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili tha se ndërtimi i kësaj fabrike do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe të turizmit në komunën e Deçanit.

“Në këtë fabrikë janë punësuar më shumë se 20 punëtorë, por nga kjo fabrikë do të përfitojnë më shumë se 300 kultivues të bletëve dhe mendoj se kjo është një arritje e madhe”.

“Siç po e shihni të gjithë, këtu është një vend shumë i mirë, shumë i bukur ku edhe pse është muaji janar po i shohim edhe bletët, pasi edhe moti është i mirë, e të cilat bletë ofrojnë mundësi që të prodhohen lloje të ndryshme të mjaltit që është e rëndësishme dhe njëkohësisht e zhvillon dhe e rrit kapacitetin e shpërndarjes së mjaltit në tërë territorin e Kosovës dhe jashtë saj”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha ndërkaq se, kjo fabrikë e ndërtuar me kontributin e Bashkimit Evropian dhe të Komunës së Deçanit pritet të nisë punën gjatë muajit mars.

“Ne po punojmë që gjatë muajit mars të fillojë prodhimi pasi kemi kryer fazën e trajnimit të punëtorëve, ku gjithsej janë trajnuar 23 punëtorë, kështu që pa humbur kohë ne do të startojmë me prodhim dhe me aspektet e tjera të punës”.

Në projektin për ndërtimin e Fabrikës së Mjaltit janë investuar mbi 550 mijë Euro, prej nga 90 përqind janë kontribut i Bashkimit Evropian. Fabrika e mjaltit “Golden Honey” do të bëjë prodhimin, grumbullimin, paketimin dhe distribuimin, gjegjësisht shitjen e të gjitha produkteve të blerës si: mjaltin, polenin, dyllin, propolisin dhe qumështin e memës, që prodhohet në Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë.