Misteret e Ballkanit

Moti po ndryshonte shumë shpejt, dhe ai i nxehti i madh që unë e kisha marrë si të mirëqenë, u zhduk aq shpejt, njëjtë sikurse perëndimi i diellit që zhduket pas malit.  U mbulova shpejt me batanije, teksa më tutje dëgjoja të lehura qensh. Nuk kishte shumë kohë që kishte kaluar mesnata, dhe vetëm disa orë më ndanin nga agimi i diellit.

Lajme

09/05/2014 00:54

Unë dhe Peter Grubb kemi planifikuar që nesër në mëngjes të nisemi nga Gucia, ku jemi momentalisht, i cili është një vendbanim në Mal të Zi, i banuar nga komuniteti mysliman. Ne do të mundohemi që me anë të ngjitjes së një mali të kalojmë pa u diktuar në Shqipëri.

Ndoshta kjo gjë do të ishte gjëja më idiote që do të guxonte ta bënte dikush në vitet e 80-ta, kur Shqipëria ishte Koreja e Veriut e Evropës. Prej Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1985, kur vdiq lideri komunist Enver Hoxha, Shqipëria ishte një vend i izoluar dhe i ndaluar për të huajt. Hoxha, kishte larguar nga njerëzit fenë dhe e kishte ulur moshën e ekzekutimit deri në 11 vjet. “Mësuesi i madh” në mënyrë hermetike kishte vendosur kufijtë dhe ishte distancuar edhe nga komunistët e tjerë. “Ne kemi luftuar me barkun bosh dhe këmbëzbathur por asnjëherë nuk i jemi përkulur dikujt”, u ankua ai njëherë te Nikita Khrushchev.

Sulmi në zemër që i mori jetën Hoxhës, po ashtu i dha fund edhe izolimit të Shqipërisë, dhe në vitet e fundit kufijtë, që dikur ishin pikat më të tensionuara, e që ndanin Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën, janë shndërruar në vendet më të dashura për t’i vizituar. Remitencat, ndihma financiare dhe stabiliteti kanë ndihmuar që të ndërtohet një klasë e mesme dhe në këto vise turizmi të lulëzojë.

Tashmë guidat turistike shoqërojnë grupe njerëzish në udhëtime me kajak poshtë urave të gurit në Malin e Zi, mund të kalosh një eksperiencë të jashtëzakonshme duke ecur dhe ngjitur maleve dhe vendeve arkeologjike në Shqipëri, ose edhe mund të shkosh në skijim në Kosovë.

“Nëse dëshironi luks, m’vjen keq, shko në Paris ose New York”, më tha Kela Qendro, një shqiptar i cili punonte në një kompani turistike. “Ju vini në Shqipëri për të parë gjëra reale. Për të parë barinjtë me kullosat e tyre, apo një grua të vjetër që punon në arë. Nëse flisni me banorët e këtyre fshatrave, ata do të ju ftojnë brenda shtëpive të tyre, vetëm për kënaqësinë e madhe që ju jep takimi me ju”, më tha ai.

Z. Grubb, i cili udhëton më shumë se shtatë herë në vit për në Kroaci, ka kohë që është i mahnitur nga bukuritë e Ballkanit. Rreth një vit më parë, ai mësoi se mënyra më e mirë për të parë nga afër një vend është duke ecur nëpër të.

Tashmë, teksa jam i ulur në hotel me Grubb-in, dhe kemi para vetës hartën dhe po shikojnë se cilën rrugë do ta marrim për të parë më nga afër Alpet Shqiptare, të cilat njihen ndryshe edhe si Bjeshkët e Nemuna, që janë alpet më të bukura në Evropë pas Alpeve zvicerane.

Për të kaluar Alpet Shqiptare në këmbë duhen 10 ditë, por ne kemi vetëm 5 ditë për të bërë një gjë të tillë. Por pavarësisht kësaj, ne gjatë këtyre ditëve do të ngjitemi disa maleve të bukura. Ne mund të jemi grupi i parë i amerikanëve që i ngjet këto male, dhe në këto pjesë ku jemi ne, nuk është se janë eksploruar aq shumë, andaj ky udhëtim do të jetë i mistershëm. (Marrë nga NYT)