Miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, ky është reagimi i Hotit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka cilësuar si vendim të rëndësishëm votimin pro ndryshimeve Kushtetuese në Maqedoni, për të cilin thotë se është një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkim Evropian.

Lajme

20/10/2018 17:18

Hoti po ashtu ka thënë se Maqedonia është duke u bërë një vend i qëndrueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, përcjell lajmi.net.

“Si në Maqedoni, ashtu edhe në Malin e Zi, shqiptarët po e ruajnë kursin pro evropian të këtyre dy vendeve”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ky është postimi i plotë:

Maqedonia në rrugë të mbarë

Kuvendi i Maqedonisë dje ka bërë një votim pragmatik, duke hapur rrugën për anëtarësim në BE dhe NATO. Maqedonia po bëhet një vend më i qëndrueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Besojmë se kjo frymë e pragmatizmit do të vazhdojë në tejkalimin e problemeve të vjetra, për të arritur progres drejt integrimeve euro-atlantike, fqinjësi të mirë, demokratizim dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Si në Maqedoni, ashtu edhe në Malin e Zi, shqiptarët po e ruajne kursin pro evropian të këtyre dy vendeve.