Minxhozi: Opozita të jetë roje e gabimeve të Qeverisë

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemail Minxhozi, ka thënë se Shqipëria pret ta vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë e re në aspektin ekonomik dhe në atë politik.

Lajme

24/12/2014 08:20

Ai në një intervistë për Epokën e Re ka thënë se u bë mirë që, pas gjashtë muajve bllokadë, Kosova arriti t’i formojë institucionet.

Ambasadori Minxhozi ka vlerësuar se tashmë Kosova ka një koalicion të gjerë PDK-LDK, nga i cili pritet për t’u parë se cili është vullneti në profesionalizimin e tyre.

Ai ka shtuar se opozita duhet të jetë roje e gabimeve që bëjnë qeveritë. Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin tregtar Kosovë-Shqipëri, Minxhozi ka bërë me dije se ka një rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.

“Një problem i madh në këtë aspekt është se ende ekzistojnë dallime në sistemin fiskal. TVSH-ja në Shqipëri është 20 për qind, këtu është 16 për qind. Për disa artikuj bazë përdorimi në Kosovë, akciza është zero, ndërsa në Shqipëri është rritur. Prandaj, kërkohet një përafrim i nivelit të akcizave midis dy vendeve. Kjo mund të shikohet në nivelin e dy qeverive”, thotë Minxhozi.

Ai gjithashtu e ka vlerësuar si ide interesante ndërtimin e një linje hekurudhe Prishtinë-Durrës.