Minoriteteve u hiqet vota e kualifikuar, nesër pritet të votohet FAK-u?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa janë pajtuar që të martën ta procedojnë një projektligj në Kuvendin e Kosovës, përmes të cilit minoriteteve u hiqet e drejta për votë të kualifikuar (2/3), për ligjet që nuk kanë të bëjnë direkt me ta, sikurse është ligji për shndërrimin e FSK-së në FAK.

Lajme

05/05/2014 17:00

Pasi të miratohet ky ligj, dy liderët janë pajtuar që ta procedojnë tutje çështjen e Forcës së Armatosur të Kosovës, e pastaj të shkohet në zgjedhje të parakohshme me shpërndarje të Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur një burim i Gazetës Blic, i afërt me takimin e sotëm të liderëve të vendit, me ambasadoren amerikane Tracy Ann Jacobson.

Shtohet se kjo marrëveshje është arritur ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës, por që është pajtuar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe është arritur edhe në prani edhe të ambasadores amerikane.

Gjithashtu, thuhet se, një marrëveshje e tillë pritet ta ketë mbështetjen edhe të minoriteteve tjera joserbe, sidomos të minoritetit turk.

“Nëse kjo bëhet, atëherë në zgjedhje shkohet pa vendet e rezervuara”, ka thënë ky burim i gazetës.

Ndryshe, në seancën e sotme ishte paralajmëruar se do të hidhet në votim çështja e shndërrimit të FSK-së në FAK, por me kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së u shty për nesër.

Me Kushtetutën e Kosovës është e përcaktuar se për amandamentime kushtetuese nevojitet votat e 2/3 e dyfishta, pra 2/3 e të gjithë deputetëve dhe votat e 2/3 e vendeve të rezervuara.

Poashtu sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është e përcaktuar që minoriteti serb dhe minoritetet tjera vendet e rezervuara i kanë vetëm për dy mandate, gjë që i bie se nga legjislatura e ardhshme nuk duhet të ketë më vende të rezervuara. Gazeta Blic