Ministria e Integrimeve ripërsërit se Demarkacioni është kusht për vizat, propozimi i kryeministrit i pa efekt  

Ministria e Integrimeve Europiane (MIE), insiston se ratifikimi i Demarkacionit më Malin e Zi është kusht për heqjen e vizave në zonën schengen për qytetarët e Kosovës. Kjo ministri ka bërë të ditur se vetëm pas përfundimit të kësaj marrëveshje do të propozohet nga Komisioni Evropian, që Kosovës t’i hiqen vizat.

Lajme

22/04/2017 12:02

Kështu kjo ministri ka lënë të kuptohet se propozimi i kryeministrit Isa Mustafa që  të modifikohet kushti i demarkacionit duke lejuar liberalizimin e vizave por duke kushtëzuar që brenda një kohe të kryhet ky proces, nuk do të ketë sukses.

Në përgjigjjen e MIE-së të pyetur nga lajmi.net se a ka gjasa të ndodh një modifikim i tillë, është thënë se demarkacioni si kusht është vendosur në vitin 2012 dhe duhet plotësuar.

“Kriteri i demarkacionit është vendosur qysh në vitin 2012 në fillim të procesit të liberalizimit të vizave, në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, për çka ne jemi pajtuar me këtë udhërrëfyes dhe si i tillë duhet të përmbushet. Qeveria dhe Kuvendi janë dukë bërë koordinimin e nevojshëm që procesi i liberalizimit të vizave, respektivisht çështja e demarkacionit të përfundoj sa më parë, në mënyrën më të mirë të mundshme që Kosova të mos vazhdoj të mbetet e bllokuar”

“Pas përfundimit të demarkacionit dhe konfirmimit të progresit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni Evropian do t’i propozoj Këshillit dhe Parlamentit për miratim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjjen e ministrisë për lajmi.net.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mustafa po ashtu ka deklaruar se Kosova ka përkrahjen e Bashkimit Evropian që liberalizimi i vizave të bëhet në muajin gusht, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të vendit dhe bizneseve qarkullim i lirë evropian.

Por, në ministrinë e Integrimeve Europiane nuk kanë folur për afate kohore se kur Kosova mund ta marr liberalizmin e vizave, duke shtuar se i vetmi kusht që ka mbetur pa u plotësuar është ratifikimi i demarkacionit.

“Për afate kohore, ne nuk mund të flasim për situata dhe data hipotetike, por është fakt që Kosova ka përmbushur kërkesat e procesit, dhe me përfundimin edhe të çështjes së demarkacionit vendimet do të mund të merren nga ana e BE-së pa vonesa të mëtutjeshme”.

“Qeveria e Kosovës është në shqyrtim të vazhdueshëm te riprocedimit të marrëveshjes në Kuvend, dhe kjo do të ndodhë në një kohë sa më të përshtatshme për ratifikimin e saj”, është thënë nga MIE.

Komisioni Evropian në maj të vitit të kaluar kishte propozuar që Kosovës t’i hiqen vizat, por që vendimi për heqjen e tyre nuk është marr për shkak se Kosova ende nuk ka arritur ta ratfikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit më Malin e Zi. Kjo marrëveshje është duke u kundërshtuar nga partitë opozitare dhe disa deputet të shumicës, pasi sipas tyre më këtë marrëveshje Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë. /Lajmi.net/