Ministri: Nuk ka arsye për rritje të çmimit të bukës në Kosovë

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, gjatë raportimit të sotëm para Komisionit për Zhvillim Ekonomik tha se nuk ka arsye për rritje të çmimit të bukës në Kosovë.

Lajme

20/11/2018 12:33

”Në të dhënat që i kemi, Republika e Kosovës mbulon 80 për qind nevojat e saj me grurë, sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë”, tha ai.

Ministri Shala tha se përgjegjësinë për kontrollimin për mundësitë për ngritje, siç e quajti ai, jo të ligjshme të çmimit të miellit e të bukës e ka Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

“Kam kërkuar nga ky autoritet që në bazë të mandatit që kanë, të analizojë këto raste”, tha Shala para deputetëve.

Ndërkaq anëtari i Komisionit, Muharrem Nitaj (AAK) tha se sipas logjikës, buka do të duhej të shtrenjtohej për 3 cent, duke e krahasuar me taksën e vënë për grurë.

Anëtarja e Komisionit Hykmete Bajrami (LDK), tha se shtrenjtimi i çmimit të bukës ka ardhur për shkak të taksës që ka ardhur edhe në grurë.

Kurse Memli Kransiqi (PDK), theksoi se nuk ka arsye të rritet çmimi i bukës për shkak të taksës 10 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja.

“Tregtarët që po e keqpërdorin këtë vendim duhet të disiplinohen në kuptimin legal. Është  e rëndësishme që të ndërmerrni kontroll dhe të mos lejoni deformim të tregut dhe të çmimeve”, tha Krasniqi.

Anëtari i Komisionit, Dardan Sejdiu (PSD) tha se si deputet i ka bërë shkresë kryetarit të Autoritetit të Konkurrencës Valon Pestreshit që të jap informacione nëse kanë nisur hetimet për rritjen e çmimit të bukës.

“Kjo ka qenë marrëveshje e furrtarëve dhe është keqpërdorim i një rrethane dhe stimulon formimin e gupeve jo formale për të diktuar çmime në treg”, tha Sejdiu./kallxo.com