Ministri Hoxhaj uron homologët e vendeve myslimane me rastin e Kurban Bajramit

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, u ka dërguar telegram urimi homologëve të tij nga vendet Islamike. Hoxhaj duke uruar ata për festën e Kurban Bajramit, ka shpreh bindje e thellimit të bashkëpunimit me këto shtete.

Lajme

04/10/2014 18:48

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, me rastin e festës së Kurban Bajramit, i ka dërguar telegrame urimi homologëve të shteteve me shumicë të popullsisë myslimane dhe sekretarit të përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), Iyad Ameen Madani.

Në telegramet e urimit, ministri Hoxhaj në emër të popullit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës i ka përgëzuar përfaqësuesit dhe qytetarët e këtyre shteteve, me rastin e festës së Bajramit, duke iu përcjell urime për lumturi dhe prosperitet.

Hoxhaj ka theksuar se Kurban Bajrami simbolizon dashurinë ndërmjet njerëzve, duke shprehur shpresën për paqe, prosperitet dhe jetë më të mirë për të gjithë popujt.

Duke uruar festën e Bajramit, ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu shpreh besimin se lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre shteteve do të thellohen në vitet në vazhdim.