Meta takoi kryeministrin Gjukanoviq, i dorëzon “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Meta u prit në një takim edhe nga kryeministri Milo Gjukanoviq ku përveç kërkesës për rritjen e bashkëpunimit, dy zyrtarët vlerësuan avancimin e projekteve madhore infrastrukturore dhe energjetike rajonale, siç janë Korridori Blu dhe shtrirja e gazsjellësit TAP përmes Malit të Zi.

Lajme

13/07/2016 15:46

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në mal të zi zhvilloi takime me krerët më të lartë të këtij shteti.

Gjatë takimit me presidentin malazez dy zyrtarët vlerësuan marrëdhëniet midis dy vendeve duke vënë theksin tek bashkëpunimi midis dy parlamenteve që duhen  përqendruar në avancimin e proceseve integruese euro-atlantike si dhe në mbështetje të të dy qeverive reciproke për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

Meta u prit në një takim edhe nga kryeministri Milo Gjukanoviq ku përveç kërkesës për rritjen e bashkëpunimit, dy zyrtarët vlerësuan avancimin e projekteve madhore infrastrukturore dhe energjetike rajonale, siç janë Korridori Blu dhe shtrirja e gazsjellësit TAP përmes Malit të Zi.

Ndërkohë gjatë një ceremonie të organizuar në Podgoricë Meta i dorëzoi Kryeministrit të Mali të Zi, Gjukanoviq “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, “për kontributin e veçantë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, akorduar nga Presidenti Bujar Nishani me propozim të Kryetarit të Kuvendit.

Gjatë kësaj vizite kryeparlamentari zhvilloi takime me një grup deputetësh shqiptarë  të parlamentit malazez ku u diskutua në lidhje me problematikat që prekin popullsinë e pakicës autoktone shqiptare të Malit të Zi, temë të cilën kryeparlamentari e diskutoi edhe me kryeministrin malazez, i cili ofroi mbështetjen e tij për zgjidhjen e tyre.

Meta vuri theksin tek fakti se të gjithë faktorët politikë duhet të bashkohen për t’i shërbyer më me efikasitet këtij interesi të përbashkët kombëtar.

Gjatë takimit me deputetët shqiptarë kryeparlamentari meta shoqërohej nga Kryetarja e  Komisionit të Jashtëm parlamentar Arta Dade dhe deputeti socialist Paulin Sterkaj.