Meta: Bashkëpunues me Ramën, përplasjet ia kam lënë së shkuarës

Për një nga detajet që la përshtypje, siç ishte mungesa e bashkëshortes së tij edhe në foton e parë zyrtare të familjes presidenciale, Ilir Meta tha se është një qëndrim personal, që tregon edhe pozicionin e ardhshëm të institucionit që ai do të drejtojë. 

Lajme

25/07/2017 09:24

“Monika ka bërë zgjedhjen e saj publike. Kur unë jam zgjedhur president, ajo është zgjedhur nënkryetare e LSI, për të qenë një politikane aktive. Ndaj unë besoj se pozicioni i saj dhe paraqitja e sotme, janë një mesazh i qartë se presidenti dhe presidenca nuk mund të përfitohen nga askush, përfshirë për qëllime të caktuara politike”, u shpreh Meta.

Marrëdhënia e acaruar e Ilir Metës dhe Edi Ramës, gjatë fushatës elektorale, tashmë sipas presidentit të ri, i takon së shkuarës. Ai zotohet se do të bashkëpunojë me çdo aktor politik, përfshirë edhe Ramën.

“Ato kanë qenë raporte që i takojnë së kaluarës, tani unë jam i hapur për raporte të reja, institucionale, bashkëpunimi, pa asnjë lloj paragjykimi.  Mund të them që bashkëpunimi im si kryeministër, me presidentin e atëhershëm Rexhep Meidani, ka qenë i shkëlqyer. Së dyti, unë jam bashkëpunues me të gjithë dhe padyshim që do të jem me kryeministrin Rama, çdo qeveri e çdo parti të opozitës. Kjo është detyra kryesore e presidentit, të punojë për unitet, në interes të vendit dhe qytetarëve”, deklaroi Meta.

Ai thotë se tashmë si president, edhe LSI do ta shikojë si çdo forcë tjetër politike. I pyetur nga Sokol Balla për bllokime të mundshme të ambasadorëve në të ardhmen, apo mos dekretim të ministrave të caktuar, në shtator, ai tha se do të veprojë sipas kushtetutës, ndërsa theksoi se as nuk do t’i bëjë fresk qeverisë dhe as do e bllokojë atë.

“Do të përmbush gjithë detyrimet e mia kushtetuese, në mënyrën më korrekte dhe sigurisht që duhet të presim konstituimin e parlamentit të ri”, tha Meta.

Sokol Balla: Do të merrni në konsideratë të gjitha ato që keni paralajmëruar si President i zgjedhur, kur keni thënë që nuk do të dekretoni ministra që janë akuzuar për lidhje me kanabizimin e vendit. Saimir Tahirin do ta dekretoni?

Presidenti Meta: Duhet të prisni vendime kushtetuese, institucionale dhe transparente. Kjo është një gjuhë institucionale, sepse ka procedura sesi ndodh ky proces.

Sokol Balla: Duhet të kemi një ide sesi do të funksionojë kjo…

Presidenti Meta: Edhe unë sa kam hyrë, sepse këtu ka një praktikë, ka këshilltarë ka zyra dhe do të më duhet edhe mua koha ime.

Ilir Meta gjykon se Shqipëria do ta ketë të vështirë anëtarësimin në BE, gjatë 5 viteve të ardhshme.

“Nuk jam kaq optimist për këtë çështje. Kërkojmë ende hapjen e negociatave dhe nga përvojat e vendeve të tjera, ky proces ka kërkuar jo pak kohë. Është një proces që varet edhe nga BE dhe nga shumë zhvillime që do të ketë vetë BE, por që ne të rrisim besimin e të rinjve për të realizuar ëndrrat e tyre në vendin tonë dhe vendin e tyre, mendoj se e kemi ne në dorë. Anëtarësimi në BE është një instrument për rritjen e standardeve”, deklaroi presidenti Meta.

Presidenti i ri thotë se do të forcojë politikën me fqinjët dhe se do të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve.