Me të parën, mendon Qemajl Mustafa

Qemajl Mustafa (PDK) është i bindur se do ta fitojë mandatin e tretë për kreun e Gjilanit. Ai tha se kundërshtarët e tij janë të frustruar, sepse po e ndjejnë humbjen.

Lajme

03/10/2013 12:19

Kryetari aktual i Gjilanit që PDK’ja e ka rikandiduar në këtë post në zgjedhjet lokale ka hapur fushatën në Gjilan me bindjen se gjilanasit nuk do të dalin për të votuar dy herë për kryetar komune.

Siç raporton Rajonipress, Mustafa u shpreh i bindur se do fitojë që në raundin e parë, dhe kështu “nuk do t’i lodhim qytetarët për të shkuar edhe në një raund tjetër”.

“Me PDK kanë fituar të gjithë në Gjilan andaj unë jam i sigurt se nuk do të ketë raund të dytë në Gjilan. Ne nuk do t`i lodhim qytetarët sepse kemi bagazh dhe kemi punuar drejt, mirë e me sinqeritet”, ka thënë Mustafa

“Ne në këtë fushatës hymë me qetësi sepse kemi një numër të madh të projekteve afirmative që kemi bërë për këto vite. Për këto ditë do të takojmë çdo qytetar e çdo grup shoqëror. Kemi arsye të ndihemi krenarë dhe t’ua shpjegojmë atyre rezultatet. Qytetari gjilanas i beson PDK-së, i beson punës sime mbi të gjitha. Jam i bindur se fitorja është prapë e PDK-së”.

Për kundërkandidatët e tij, Qemajl Mustafa tha se ata janë të frustruar sepse ai dhe partia e tij kanë punuar shumë në Gjilan në 4 vitet e fundit.

”Ata e kanë ndier erën e humbjes dhe po shihen se janë të frustruar”.

“Ne s`kemi nevojë të jemi në panik sepse kemi ngritur punën në administratë, kemi investuar shumë në infrastrukturë, kemi investuar shumë në edukim e arsimim. Edhe tani ne kemi projekte të gatshme dhe kemi ide për ta zhvilluar edhe më shumë dhe më mirë ekonominë. Gjilani është nyjë e mikroregjionit”.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike në Gjilan, Izmi Zeka u shpreh i bindur se Qemajl Mustafa do të jetë përsëri kryetar i Gjilanit.

”Qemajl Mustafa është kryetar i ardhshëm edhe për katër vite, jo pse duam ne por se kështu e vlerëson qytetaria e Gjilanit. Thjeshtë është nder që edhe njëherë Gjilani ta ketë kryetar dhe kandidat për të qeverisur me Gjilanin edhe për katër vite”.