MBPZHR dhe Komuna e Podujevës ndihmojnë fermerët llapjanë

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka pritur sot Vezir Januzn, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Lajme

06/05/2015 20:41

Gjatë këtij takimi është biseduar për prioritetet e investimeve dhe subvencionimin e sektorit të bujqësisë në trevën e Llapit.

Veliu tha se investimet në bujqësi dhe përkrahja për fermerët llapjanë vazhdon të jetë prioritet në politikat zhvillimore të Komunës.

“Me qëllim të stimulimit të sektorit të bujqësisë sivjet kemi rritur për 30% mjetet për subvencionimin e fermerëve. Nga 310 mijë euro, sa kemi ndarë vitin e kaluar, sivjet nga buxheti i Komunës kemi ndarë 400 mijë euro për subvencionimin e fermerëve në sektorë të ndryshëm”, tha Veliu.

Zëvendësministri Januzi, duke qenë njohës i mirë i nevojave dhe mundësive për investime në sektorin e bujqësisë në komunën e Podujevës, premtoi përkrahjen e MBPZHR-së për fermerë llapjanë.

“Komuna e Podujevës do të ketë përkrahjen e ministrisë sonë në projektet e saj në zhvillimin e bujqësisë. Përmes granteve qeveritare do të ndihmojmë edhe fermerët llapjanë në investimet e tyre në lëmin e bujqësisë”, tha Januzi.