Mbi 100 pika karburantesh ende pa arka fiskale, ATK-ja në aksion

Një numër i madh i kompanive që merren me shitjen e derivateve të naftës dhe që hyjnë në listën e taksapaguesve të mëdhenj ende nuk janë fiskalizuar.

Lajme

03/09/2014 20:31

Si raporton KTV, marrëveshja e arritur në mars të këtij viti mes Shoqatës së Naftëtarëve dhe ministrit të Financave, Besim Beqaj, me të cilën qe shtyrë afati për pajisjen e tyre me arka fiskale, po vazhdon të vlerësohet valide nga drejtuesit e kësaj shoqate.

Kryetari i saj, Fadil Berjani thotë se naftëtarët nuk e kanë ndërmend të marrin arkat fiskale me çmime kaq të larta dhe se për këtë ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria.

Mirëpo këto deklarime i kundërshtojnë zyrtarë të ATK-së. Ata kanë paralajmëruar vizitat gjatë kësaj jave nëpër pikat e shitjes së karburanteve që nuk janë të pajisura me sistemin e ri të fiskalizimit, numri i të cilave tejkalon 100.

Shoqatat e bizneseve kanë kritikuar Ministrinë e Financave dhe ATK-në që, sipas tyre, kanë rënë nën ndikim të kompanive të pafiskalizuara dhe se nuk kanë marrë asnjë masë për të ulur çmimin e arkave fiskale.

Drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve dhe ministri  Beqaj ishin pajtuar për hapjen e tregut të kompanive që ofrojnë arka fiskale por, sipas ATK-së, nuk kishte aplikuar asnjë kompani.