Mbi 1 mijë e 200 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2018 – Lajmi.net
Mbi 1 mijë e 200 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2018
Autori: Lajmi.net LajmeSociale 9:09, 2 January 2019
Numri i rasteve të dhunës në familje edhe pse në vitin 2018 nuk ka shënuar rritje krahasuar me numrin e rasteve të vitit 2017 prapë kjo shifër mbetet e lartë dhe shqetësuese.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, numri i rasteve të dhunës në familje është shumë më e lartë tek gjinia femërore se sa tek meshkujt, si për vitin 2017 por edhe për vitin 2018.

“Gjatë vitit 2017 janë evidentuar 1269 raste të ‘Dhunës në familje’, në këto raste numri i viktimave sipas gjinisë, në vitin 2017: 958 femra dhe 261 meshkuj. Në nëntëmujorë të këtij viti janë shënuar  1168 raste të ‘Dhunës në familje’, në këto raste numri i viktimave sipas gjinisë: 901 femra dhe 225 meshkuj”, thuhet në statistikat e policisë.

Zëvendësministri i Drejtësisë si dhe koordinatori Nacional kundër Dhunës në Familje,  Naim Qelaj ka thënë për arbresh.info se Qeveria dhe Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet tjera janë duke i fuqizuar mekanizmat për parandalimin e dhunës  në familje.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me institucionet tjera ligj zbatuese janë duke i fuqizuar mekanizmat në parandalim të dhunës në familje dhe në ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës, për sigurinë e tyre, për rehabilitim dhe riintegrim”, ka thënë Qelaj.

Qelaj ka thënë se kanë realizuar disa objektive të cilat i ka caktuar për të parandaluar dhunën në familje.

“Në vitin që lamë pas  kemi realizuar objektivat që janë caktuar nga unë Koordinator Nacional. Më kryesoret janë: është ngritur sistem i monitorimit dhe raportimit nga të gjitha institucionet që sipas ligjit kanë për obligim të veprojnë në rastet e dhunës në familje, është krijuar sistemi i të dhënave që do jetë tregues i qartë real dhe i besueshëm jo vetëm për të dhënat statistikore por edhe për përmbushjen e obligimeve ligjore nga ana e institucioneve që me ligj janë të ngarkuara me përgjegjësi. Me kodin e ri penal të Kosovës  dhuna në familje tani e tutje do të sanksionohet si vepër penale. Ka vazhduar themelimi mekanizmave koordinues lokal, me qëllim të krijimi të politikave sociale e që janë sa më afër viktimës”, ka treguar Qelaj.

Ai ka thënë se dhuna në familje është problem global duke mos përjashtuar edhe Kosovën.

Ai shton se rastet e dhunës në familje janë të rënda në çdo aspekt dhe se sipas tij një viktimë po që se nuk ka përkrahje institucionale mund edhe të jetë e papërballueshme për të.

“Dhuna në Familje është problem global, prandaj edhe Kosova pashmangshëm po ballafaqohet me këtë dukuri, por është me rëndësi që institucionet po e trajtojnë këtë temë me përkushtim të madh.  Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme. Fakti që dhuna ushtrohet nga anëtari i familjes, që cenohet siguria në familje dhe që ndikon në raporte mes anëtarëve të ngushtë të familjes e bën të qartë se çdo rast është i dhimbshëm dhe janë raste të rënda, si emocionale, fizike e material e që për viktimën shpesh herë mundët jenë të papërballueshme, nëse nuk do të kishte mbështetje institucionale”, ka thënë Qelaj.

Sipas tij padyshim se rastet më të rënda janë ato me fatalitet por që siç thotë Qelaj nuk duhet harruar se edhe dhuna psikologjike dhe ekonomike që shpesh herë ushtrohet ndaj viktimës shkakton pasoja që janë vështirë të rikuperueshme.

Ndërsa sociologu, Leutrim Sahiti në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se  dhuna në familje është produkt i mentalitetit patriarkal.

Ai thotë se kjo dukuri ka qenë më shumë prezente para viteve të 90-ta se sa tani por që në atë kohë  është konsideruar si çështje e brendshme  familjare deri në atë masë ku viktimat nuk kanë guxuar të lajmërojnë rastin.

“Dhuna në familje është produkt i mentalitetit patriarkal, ku para luftës së fundit ishte shumë më shumë prezent sesa në ditët e sotme, por dallimi qëndron në atë që para viteve të 90-ta kjo dukuri shihej si çështje e brendshme familjare, bile edhe normale deri në atë masë që viktimat nuk kanë guxuar të lajmërojnë rastin as tek familjaret e tyre, e leje më tek Institucionet e rendit”, ka thënë Sahiti.

Ai ka thënë se viktimat e dhunës në familje në të shumtën e rasteve nuk guxojnë t’i raportojnë rastet kur ndaj tyre kur ushtrohet dhunë.

Ai ka përmendur po ashtu disa arsye pse një femër është bie më shumë pre psikike dhe dhunës fizike në vendin tonë.

“Nëse gruaja kosovare do të kishte qasje në trashëgiminë e familjes ajo do të kishte mbështetje financiare më të madhe nuk do të binte pre e dhunës psikike dhe fizike. Po ashtu dhe fëmijët mund të jenë arsyeja që femrat nuk raportojnë rastet e dhunës duke mos dashur që ta shkatërrojnë familjen e tyre, por në fund duhet ta kemi parasysh që dhuna në familje ka pasoja shumë të mëdha tek fëmijët sepse kur ata rriten në ambiente të dhunës, gjasat janë shumë të mëdha që ata kur të rriten të bëhen të dhunshëm dhe kështu dhuna mund të përcillet me gjenerata”, ka thënë ai.

Sociologu Sahiti ka treguar se cilat janë masat më efektive që Qeveria e Kosovës duhet të marrë që kjo dukuri të ndalet.

“Qeveria e Kosovës përpos që duhet të punojë më shumë në punësimin e grave, zbatimin e ligjit për qasje të barabartë në trashëgimi, duhet që të lansojë linja telefonike falas dhe anonime në mënyrë që viktimat e dhunës të raportojnë për rastet e dhunës si dhe të marrin këshilla nga njohësit e kësaj fushe se si të veprojnë në këto raste”, ka thënë sociologu.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO