Martesa e hershme, varfëri e përhershme

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, përmbylli sot fushatën trevjeçare për rëndësinë e familjes dhe sigurimin e mirëqenies së fëmijëve brenda familjes “Kujdesu për MUA!“, si dhe lansoi fushatën për parandalimin e martesave nën moshën 18 vjeçare, “#JOnën18!”.

Lajme

16/05/2016 18:34

Drejtoresha nacionale e SOS Fshatit, Nezahate Salihu tha se fushata “Kujdesu për MUA!“ arriti ngritjen e vetëdijes së përgjithshme të përfituesve dhe të organizatave komunitare për rëndësinë e familjes dhe sigurimin e mirëqenies së fëmijëve brenda familjes.

“Fushata arriti ngritjen e vetëdijes së përgjithshme të përfituesve dhe të organizatave komunitare për rëndësinë e familjes dhe sigurimin e mirëqenies së fëmijëve brenda familjes. Arriti t’i përkrahë institucionet dhe organizata në fuqizimin e zbatimit të politikave që sigurojnë ofrimin e shërbimeve sociale cilësore për mbështetjen e familjeve të rrezikuara. Përmes partneritetit arriti edhe parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga ambientet e tyre familjare”, tha ajo.

Ndërsa, derisa foli për lansimin e fushatës “#JOnën18!”, ajo shtoi se hulumtimet e fundit në këtë fushë tregojnë se edhe fëmijët e lindur nga martesat e parakohshme rezultojnë me mungesë kujdesi cilësor prindëror, shëndet më të cenuar, mirëqenie më të ulët dhe kanë gjasa që të kenë më shumë probleme psiko-fizike dhe sociale në të ardhmen.

Ndërsa, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, familjen e konsideroi bazë të shoqërisë që duhet të ketë mbrojtje dhe përkrahje të nevojshme nga shoqëria që të mund të marrë përsipër plotësisht rolin e saj.

Ai shtoi se kujdesi institucional për mbrojtjen e fëmijëve është duke u rritur çdo ditë e më shumë.

“Kujdesi institucional në përgjithësi dhe i ministri së, është duke u rritur nga dita në ditë. Por iniciativa si kjo të mbrojtjes së vazhdueshme të fëmijëve janë të mirëseardhura… Aktualisht jemi në proces të përfundimit të ndërmarrje sociale, si dhe kemi licencuar një numër të madh të punëtorëve social. Ky koalicion i OJQ-ve, ajo çka po punohet, dëshmon se ekziston një potencial i madh për bashkëpunim më të mirë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe familjeve.

Ministria kontakton shërbimin nga OJQ-të për të përmirësuar nivelin e mbrojtjes për qytetarë e veçmas për fëmijët me gjendje të nevojës sociale. Pavarësisht nga gjithë këto ne mund të bëjmë më shumë nga kjo fushë dhe përmes fushatave si shembull të tilla konkrete. Pavarësisht punës së madhe dhe në funksion të mbrojtjes së fëmijëve shfrytëzoj këtë rast që t’u ftoj që të thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin sepse kjo përkrahje është për fëmijët e cenuar dhe asnjëherë nuk është e mjaftueshme”, tha ai.

Sipas presidentit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Gani Lluga, martesa e hershme është varfëri e përhershme, derisa shtoi se ajo ndërprenë të drejtat e fëmijës për zhvillim dhe mbijetesë sepse paraqet një aspekt tjetër që ku fenomen gjenerohet me gjenerata.

Derisa paraqiti disa të dhëna statistikore për martesat e hershme në komunën e Prizrenit dhe atë të Ferizajt, Lluga konsideroi se martesa nën moshën 16 vjeçare nuk është martesë por dhunim.

“Përgjegjësia institucionale dhe shoqërore në relacion me këtë fenomen është shumë e madhe dhe duhet me qenë shumë përgjegjës në raport me këtë çështje. Nga hulumtimet që janë bërë në komunën e Prizrenit dhe komunën e Ferizajt rezulton se një mostër që është marrë p ër hulumtim prej 159 individëve të martuar të moshës 15 deri 19 vjeçare, 6 për qind e të martuarve pohojnë se në martesë kanë hyrë nën moshën 15 vjeç.

Nën moshën 16 vjeçare nuk mundemi ta quajmë martesë, ajo është dhunim, keqpërdorim i të miturit dhe ajo nuk bëhet fjalë për martesën sipas ligjit dhe rregullave që i kemi kështu. Ndërsa, 13 për qind nën moshën 18 vjeçare. Fatkeqësisht i bie që 19 për qind e popullatës, ku komuna e Ferizaj i ka diku 14 mijë banoër, kryesisht të komunitetit ashkali, kurse Prizreni i ka rreth 15 mijë e 500 banorë, kryesisht të komunitetit rom. Relacioni i të martuarve nën moshën 18 vjeç, femra 87 për qind, meshkuj13 për qind”, tha ai.

Ndërkaq, mbështetës të fushatës trevjeçare të SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë, “Kujdesu për mua”, ishte edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF./Telegrafi