Marrëveshja për Asociacionin të rinegociohet

Pas pezullimit të Marrëveshjes për ASK-në, ekspertët juridikë dhe kushtetues thonë se ajo duhet të rinegociohet edhe një herë. Këtë e përkrah edhe eurodeputetja Ulrike Lunacek. Ndërkohë, serbët i kanë bërë thirrje BE-së që t’i bëjë presion Kosovës.

Lajme

12/11/2015 08:18

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka ngjallur idenë, që kjo Marrëveshje “problematike” të rinegociohet edhe një herë.

Derisa opozita kërkon zhbërjen komplet të saj, janë shtuar zërat, madje dhe ndërkombëtarët që kësaj Marrëveshjeje t’i bëhet një “redaktim” në disa pika. Madje, nëse Gjykata e hedh poshtë si antikushtetuese, kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero, pavarësisht implikimeve zinxhirë në proceset tjera, përfshirë edhe Marrëveshjen për Stabilizim-Asocim me BE-në.

Sipas ekspertëve juridikë, cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese ai do të shikohet si i anshëm politikisht nga njëra apo tjetra palë. Prandaj, derisa Bashkimi Evropian po bën presion që Marrëveshja të implementohet, ekspertët juridikë kërkojnë nga Kushtetuesja që të kërkojë ndihmën e Komisionit të Venedikut. Kjo do t’i hapte rrugë anulimit të marrëveshjes në formën aktuale dhe të niste rinegocimi mes Kosovë dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së për një marrëveshje të re. /Zëri