Marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në dy muajt e fundit

Pse ndodhën muri dhe treni?

Lajme

06/02/2017 16:29

Udhëheqësia e Serbisë, po provon t’ia ndryshojë drejtimin normalizimit të raporteve të Kosovës dhe Serbisë, apo, të krijojë rrethana më të volitshme në një kontekst të ri ndërkombëtar, i cili në Beograd llogaritet si më i favorshëm se ai i deritashmi.

Mesdita e të dieles së 5 shkurtit, kur në Veri të Mitrovicës u rrënua muri ilegal, ka të ngjarë që ka shënuar përfundimin e një periudhe të rëndë, me shumë tensione dhe paralajmërime të rrezikshme, në marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë.

Konkludimet kategorike kur kemi të bëjmë me raportet e Kosovës dhe Serbisë qëmoti janë treguar të gabuara, prandaj, as tash ato nuk preferohen në përshkrimin e situatës që megjithatë duket konkluduese, së paku sa i përket një etape shumë problematike, që nisi në fillim të dhjetorit, me ndërtimin e murit, dhe mori vrullin e përplasjes me ndaljen e ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt në Francë, në bazë të fletarrestit të Serbisë, dhe me trenin e ngjyrosur të 14 janarit.

Nëse gjithmonë duhet pasë kujdes në konkludimet që synojnë të jenë të qëndrueshme kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, në të njëjtën kohë, nuk duhet hezituar fare në qëndrimin këmbëngulës që autoritetet e Serbisë nuk njohin nocionin e rastësisë në veprimet ndaj Kosovës. Sipas të gjitha gjasave, udhëheqësia e sotme e Serbisë, ka vlerësuar kohë më parë që mund të provojë t’ia ndryshojë drejtimin procesit të normalizimit të raporteve të Kosovës dhe Serbisë, që njeh si mekanizëm të vetëm lëvizës dialogun e Brukselit, apo, të krijojë rrethana më të volitshme për vete karshi Kosovës, në një kontekst të ri ndërkombëtarë i cili në Beograd llogaritet si më i favorshëm se ai i deritashmi. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe ndërtimi me të shpejtë i një muri në Veri të Mitrovicës, në fillim të dhjetorit, dhe përgatitja e një treni të tillë të pastër politik dhe propagandistik, në mesin e janarit. Beogradi me gjasë nuk e ka ditur çka do të ndodhë në fund me te dy këto veprime, por së paku e ka pasë të qartë çka dëshiron të mbërrijë me murin dhe me trenin: Të testojë autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare në Kosovë dhe më larg, të shoh se a do të reflektohet me të shpejtë, edhe në relacionet e Serbisë me Kosovën ndryshimi i ambientit politik ndërkombëtar.

Në korrik të vitit 2011, autoritetet e Kosovës vendosën të ndërmarrin veprimin e njohur me dërgimin e Njësive Speciale në Veri të Kosovës, në përpjekje për ta vendosur edhe de fakto sovranitetin e shtetit në pikat kufitare në Portat 1 dhe 31  (Jarinje dhe Bërnjak), dhe për t’i dhënë fund një Status Quo-së në këto anë të Kosovës, që kishte domethënin e cementimit të ndarjes së Veriut nga Republika e Kosovës. Dihet që pa këtë nismë të Qeverisë së Kosovës, e cila asokohe mori përkrahjen e plotë edhe të Kuvendit të Kosovës, nuk do të ndodhte dialogu politik në Bruksel, i cili qysh prej atëherë ka për synim parësor integrimin e Veriut, që është kusht themelor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në dimrin e vitit 2016/ 2017, autoritetet e Serbisë provuan në realitet, ta zbrapsin këtë ndërmarrje ndërkombëtare, të Brukselit në radhë të parë, të nisur në vitin 2012, apo, për t’i zhbërë rezultatet e arritura që prej vitit 2012-të e këndej në shtrirjen e sovranitetit edhe në Veri të Kosovës. S’ka dyshim që ka shumë ende për tu bërë në këtë drejtim, apo që jorrallë është dukur që ka ngecje, apo edhe prapakthim në këtë ndërmarrje, por veprimet e fundit të Beogradit zyrtar, dëshmojnë që shkalla e pakënaqësisë së autoriteteve të Serbisë me zhvillimet në Veri, është dukshëm më e madhe se sa ajo që karakterizon skenën politike të Kosovës.

Autoritetet kosovare dhe politikanët kosovarë në përgjithësi janë të pakënaqur me dinamikën e integrimit të plotë të Veriut, sepse sipas tyre, ky proces po ecën ngadalë. Por autoritetet e Serbisë po mendojnë që përkundrazi, ky integrim po ndodhë më shpejtë se sa që duhet, dhe që si kundërpërgjigje, nuk po ndodhë krijimi i Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, i cili nëse jo de jure, së paku de fakto, sipas ambicjeve të Serbisë, do të ishte një entitet i mirëfilltë i serbëve të Kosovës.

Ky është, mbase, ai çelësi i dytë i shpjegimit dhe kuptimit të nismës së Beogradit zyrtar që t’i çrregullojë, sa më shumë që është e mundur, rrethanat në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke mos harruar këtu atë çelësin e parë të sqarimit që ka të bëjë me përdorimin, në dobi të interesave të vet, të kontekstit të ri ndërkombëtarë, me një Adminstratë të re amerikane dhe me një BE që është e tronditur me themel.

Pasojat politike dhe diplomatike të kësaj nisme të udhëheqësisë së Serbisë janë tashmë të njohura për të gjithë. Pati vringëllimë me armë, kërcënime të të gjitha llojeve, nocioni ‘luftë’ madje u kthye në vokabularin politik të kryeprotagonistëve të politikës zyrtare të Serbisë, ndodhi edhe mëkëmbja e dialogut të Brukselit në nivelin më të lartë  (pas një viti të plotë), ndryshoi formati i tij, me përfshirjen edhe të Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, u kuptua sërish që siguria në Kosovë është detyrim ndërkombëtarë i KFOR-it/ Paktit NATO, gjendja tek vetë serbët në Veri shënoi ndërlikime të reja, u shënua madje edhe një Marrëveshje që u bë kësaj radhe në dialogun në mes të autoriteteve qendrore  (të Kosovës), dhe atyre lokale (të komunës së Mitrovicës Veriore), me të cilën iu dha fund çështjes së murit.

Sidoqoftë, do të ishte naivitet politik të mendohet që Kosova nuk do të përballet më me një qasje të kësisojt të Serbisë. Dialogu i Brukselit, për shkaqe të shumta ka mbërri në një udhëkryq, i cili i ka objektivisht vetëm dy rrugë apo dy mundësi. Vendnumërimi më nuk është opsion real, sepse vetë këto bisedime tashmë kanë mbërri në stadin kur duhet të ofrojnë atë emrin dhe domethënien e mirëfilltë, legale dhe politike për synimin e pajtuar prej të gjithë palëve, (Kosovës, Serbisë, BE-së dhe SHBA-së), për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Si do të pagëzohet ky normalizim, Marrëveshje ndërkombëtarisht obligative, Traktati i Paqes, Marrëveshja Gjithpërfshirëse, Marrëveshja kornizë, kjo mbetet të shihet. Por dihet fare mirë se çka do të ketë në përmbajtjen e vet ky Dakordim politik dhe historik. Nëse nuk ecet në këtë drejtim, do të kemi pamje dhe dukuri gjithnjë e më të shpeshta si ato të dy muajve të fundit, kur pretekstet do të gjinden apo edhe do të prodhohen  (siç ishte me murin dhe me trenin), pa ndonjë mundim të madh dhe me pasoja fare lehtë të parashikueshme.