‘Mallkimi i ndarjes’ që po ndjek partitë e mëdha

Vetëvendosjen po e ndjek ‘fati’ i Lidhjes Demokratike të Kosovës e Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajme

12/01/2018 08:34

Ndryshimi është se derisa LDK-ja është ndarë në atë që njihet si “Kuvendi i Karrigeve”, në Vetëvendosje po ndodhin çdo ditë dorëheqje nga pozitat brenda partisë të zyrtarëve më të lartë të saj, duke filluar nga kryetari, nënkryetari i parë e deputetët, shkaku i mospajtimeve dhe akuzave për klane brenda partiake, shkruan arbresh.info.

Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës që ishte edhe kryetar i LDK-së që nga themelimi, kjo parti u nda në dysh si pasojë e rrahjes që ndodhi në Kuvendin Zgjedhor, pas së cilës, Nexhat Daci mblodhi një pjesë të zyrtarëve të pakënaqur të kësaj partie dhe themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD).

Por projekti i Dacit nuk zgjati shumë, dhe partia e tij u shua, ndërsa pjesa më e madhe e LDD-së u kthyen sërish në “Shtëpinë e vjetër”.

Kjo ndarje i kushtoi LDK-së me humbjen e zgjedhjeve të dyta pas luftës ku ishte renditur si partia e dytë në vend, pas Partisë Demokratike të Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga kryetari Hashim Thaçi.

Mirëpo edhe partia e Thaçit pësoi pothuajse të njëjtë gjë.

Kur u publikuan përgjimet në mes zyrtarëve të PDK-së, ndodhi edhe thyerja e madhe në këtë parti, që erdhi deri te ndarja në mes të Hashim Thaçit në njërën anë, dhe Fatmir Limaj e Jakup Krasniqit në anën tjetër.

Lideri i atëhershëm i PDK-së i kishte quajtur qytetarët e Malishevës “zagar” gjatë një komunikimi që kishte me zyrtarët e PDK-së. Dhe kjo ishte arsyeja pse Limaj i “prishi punët” me të,  ndërkohë që në çdo palë zgjedhje po dilte si lideri më i votuar pas Thaçit.

Ndërkaq në përgjimet mes zyrtarëve të PDK-së, Thaçi i ishte referuar Jakup Krasniqit me termin “Jakupovski”.

Ndërkaq Limaj kishte akuzuar direkt kryetarin e atëhershëm Hashim Thaçin dhe kryetarin actual të PDK-së, Kadri Veseli që ia montuan aktakuzën ndaj tij për rastet e njohura si MTPT1 dhe MTPT2, e për të cilën, Limaj pas një procesi të gjatë gjyësor, u shpall i pafajshëm tek në nëntor të vitit 2017.

Limaj pas ndarjes nga PDK themeloi partinë “Nisma për Kosovën”, të cilës iu bashkuan edhe Jakup Krasniqin dhe disa zyrtarë të tjerë të PDK-së.

Por me PDK-në nuk ndodhi njëjtë  si me LDK-në, pasi ajo nuk pësoi në zgjedhje pas ndarjes.

Fatin e njëjtë aktualisht po e ndjek edhe partia e themeluar nga njëri prej politikanëve me të pëlqyer në Kosovë, Albin Kurti.

Në fund të vitit 2017 rrodhi në rrjetin social ‘Viber’ një komunikim mes anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku deputetja dhe nënkryetarja e kësaj partie, Aida Dërguti i referohej Albin Kurtit me një term fyes.

Kjo bisedë ngjalli reagime të shumta në këtë parti.

Pas publikimit të bisedës ndodhën shumë dorëheqje ditë pas dite duke përfshirë këtu dorëheqjen e kryetarit Visar Ymeri, nënkryetarit të parë, Dardan Sejdiu, nënkryetares Aida Dërguti, Dardan Molliqaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e sekretarit organizativ ndërkohë që në tri ditët e fundit, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetari i Kamenicës nga VV, Qëndron Kastrati, deputeti Driton Çaushi dhe njëri prej aktivistëve më të hershëm e të zëshëm, njëherësh deputeti i kësaj partie, Frashër Krasniqi.

Ky i fundit dorëheqjen e tij e ka bërë permes një letre nga Burgu i Dubravës ku ndodhet si i dënuar për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës, bashkë me aktivistë të tjerë të VV-së.

Politologu Belul Beqaj, në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se zhvillimet brenda Vetëvendosjes dhe partive të tjera më parë, i ngjajnë lumit.

Sipas tij, partitë janë dukuri historike dhe si të tilla, zhvillohen dhe zhduken në fazën e caktuar.

 

“Partitë janë dukuri historike. Ato paraqiten në kontesktin e caktuar të rrethanave , zhvillohen dhe zhduken , në fazën e caktuar…Dinamika suksesit dhe mos suksesit të tyre varret nga shumë faktor të brendshëm , jashtëm, lidershipi…Sa i përket vlerësimit tim për Vetevendosjen, i apostrofoj dy faktorë vendimtarë. Së pari,rritja e saj i përngjanë lumit i cili, si çdo lum, e ka burimin e pastër ndërsa rritja e saj ishte sikur vërshimi i lumit pas shirave ku shumë procka kanë sjell në shtratin e lumit çfarë kanë përfshirë përpara. Madhësia dhe fuqia e Vetëvendosjes është ngritur në shpërputhje me pastërtinë e burimit. Sa më larg burimit aq më shumë është ndotur ajo. Prockat kanë sjell nga brenda dhe jashtë elemente që e kanë krijuar këtë gjendje”, ka thënë Beqaj.

Ai ka ofruar një zgjidhje për transformim të suksesshëm të Vetëvendosjes.

 

“Për të ardhmen e Vetëvendosjes, nëse dëshirohet të bëhet një transformim i sukseshëm, duhet të mendohet për një koegzistencë ideologjike mes socialdemokracisë dhe liberalizimit. Vetevendoosja sot ka dy rryma kryesore të cilat nuk janë akomoduar si duhet. Prandaj duhet të mendojnë që ajo, për hirë të faktorizimit të metejmë, të bëjë një sinetze ideologjike me liberalizimin dhe të bëjë një subliment programor ideologjik social-liberal”, është shprehur Beqaj.

Ndërkohë që Vetëvendosje është duke pësuar trazira të mëdha brendapartiake, ajo tashmë ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kryetar të saj, të cilat do të mbahen më 21 janar.

Deri më tani, kandidati i vetëm për kryetar të partisë është themeluesi i saj, Albin Kurti.

Kurti ka udhëhequr me Vetëvendosjes sa ishte vetëm lëvizje dhe më pas edhe pas hyrjes në Parlamentin e Kosovës, deri në mars të vitit 2015.

Më 1 mars të vitit 2015, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje kishte shpallur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të brendshme për kryetar të saj ku me 96.42 për qind të votave për, Visar Ymeri ishte shpallur zyrtarisht udhëheqësi i ri i saj./Arbresh.info