Mafia e përfshirë në eksodin masiv

Një pushimore verore në veri të Serbisë u bë papritmas shumë e vizituar këtë dimër, kur mijëra shqiptarë të Kosovës, duke ikur nga varfëria, e pushtuan atë me synimin për të kaluar ilegalisht në territorin e Hungarisë, që është anëtare e BE-së.

Lajme

10/02/2015 08:30

Prej disa javëve të fundit, hotelet dhe vilat e vogla, që janë të shpërndara përgjatë brigjeve të liqenit Paliq, janë të mbingarkuara me shqiptarët që dëshirojnë të emigrojnë. Ata janë duke pritur shansin e tyre për të negociuar me trafikantët e qenieve njerëzore kalimin në Hungari, përcjellë sot gazeta Koha Ditore, një reportazh të AFP.

Në Paliq operon edhe një rrjet i kontrabandistëve shqiptarë nga Kosova, duke i detyruar bashkëkombësit e vet që të paguajnë një çmim të lartë për çdo fazë të udhëtimit të tyre të dëshpëruar drejt të tokës së premtuar brenda Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani.

Pasi janë nisur nga stacioni i autobusëve të Prishtinës, dhjetë orë më pas, qytetarët e Kosovës mbërrijnë në qytetin e Paliqit, ku mundohen të gjejnë një hotel për të qëndruar.

“Këtu jam duke qëndruar me gruan dhe dy fëmijët qe dy net. Ata kërkojnë për një dhomë që të paguajmë 100 euro për një natë dhe 980 euro që të na qesin në Hungari, thotë Selmani, duke treguar me gisht nga villa “Lira” e cila është e rrethuar nga mbeturinat.

Në Paliq, kontrabandistët shqiptarë janë duke bashkëpunuar me kriminelët lokalë për të zhvilluar një biznes ilegal, por shumë përfitues. Shefi i tyre, të cilin bashkëpunëtorët e quajnë Sami, është një njeri arrogant, i cili në mënyrë të vrazhdë trajton bashkëkombasit e tij që kanë gjetur strehim në vilën “Lira” të cilin ai e menaxhon. Sido që të jetë, Samiu dhe rrjeti i tij nuk janë të vetmit që përfitojnë nga eksodi.