Lutfi Haziri: Treguam mirëkuptim për votën e Teuta Rugovës për shkak të babait të saj

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për bashkëpartiaken Teuta Rugova, e cila po i “tradhton” qëndrimet e partisë.

Lajme

12/09/2018 23:02

Vajza e ish-presidentit Rugova që e kishte përkrahur koalicionin PAN kishte vepruar përsëri kundër qëndrimit të partisë, pasi që kishte marrë pjesë në seancën e fundit të thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj për të votuar ekipin negociator.

Sipas Hazirit, ajo e ka qartësuar votën e saj qysh në fillim.

“Teuta Rugova e ka qartësuar votën e vet prej fillimit. Vota e Teuta Rugovës është kapitalizu në resort portfolio në ministri. Vota e saj është e definume, vota e saj është ndarë pro qeverisë qysh në fillim”, tha Lutfi Haziri në intervistën për KALLXO.com.

Sipas tij, LDK-ja ka treguar mirëkuptim për vendimin e Teuta Rugovës për shkak të personalitetit dhe figurës së Ibrahim Rugovës.

“Çështja e Teuta Rugovës nuk ka të bëjë me lojalitet në parti, ka të bëjë me një vendim që e ka marrë në fillim të mandatit dhe natyrisht që ne kemi tregu mirëkuptim ndaj personalitetit dhe figurës së shenjtë të Ibrahim Rugovës, por ma shumë i bie me mendu Teutës për të ardhmen e saj politike sesa ne për rolin e saj në grupin parlamentar”, tha Haziri për KALLXO.com.