Lutfi Dervishi thotë se në “Medicus” është kryer transplantimi i veshkës, derisa Sokol Hajdini mbrohet në heshtje

Urologu Lutfi Dervishi, ka deklaruar se në vitin 2008, në klinikën “Medicus”, ku ishte edhe drejtor, është kryer një transplantim i veshkës.

Lajme

25/04/2018 12:13

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Lutfi Dervishi, ka dhënë mbrojtjen e tij, në rigjykimin e këtij rasti, ku ai akuzohet për krim të organizuar e trafikim me qenie njerëzore.

Bashkë me Dervishin, në këtë rast për lëndim të rëndë trupor, akuzohet edhe anesteziologu Sokol Hajdini, i cili në seancën e së mërkurës, ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje.

Në mbrojtjen e tij, mjeku Lutfi Dervishi, ka thënë se transplantimin e veshkës, e kishte kryer mjeku turk, Jusuf Somnez, ndërsa ka shtuar se nuk i kujtohet saktë data kur kishte ndodhur ky intervenim.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolicci, Dervishi ka deklaruar se ai nuk kishte marrë pjesë në këtë intervenim, dhe se në atë kohë nuk e kishte ditur as nacionalitetin e pacientit që i nënshtrohej transplantimit të veshkës.

“Unë s’kam marrë pjesë që në fillim të operacionit, por më kanë thirrë më vonë për ndihmë, emrin e tij e kam marrë vesh kur policia më ka dërgu me mbikëqyrë pacientin”, ka thënë Dervishi, gjatë mbrojtjes së tij.

Ai ka deklaruar se kah fundi i këtij operacioni kishte shkuar për të asistuar.

“Zakonisht kam punuar poshtë në katin përdhesë. Ata e kanë dërgu një moter një nga stafi teknik dhe më kanë thirrë për me i ndihmu për me mbyllë plagën e pacientit. Natyrisht që në jemi të obliguar që kur te na thirr dikush për ndihmë, në bazë të betimit të Hipokratit, në bazë të ligjit dhe funksionit që ushtron duhet ta ndihmojmë patjetër pacientin”, ka shtuar tutje Dervishi.

Dervishi, është pyetur edhe lidhur me përbërjen e stafit, që ka marr pjesë në operacioin për transplantimin e veshkës.

“Unë kur kam shkuar në sallë, Jusuf Somnez ka qenë aty, motra dhe anesteziologu, ndërsa për të tjerët s’më kujtohet ka kaluar kohë e gjatë”, ka deklaruar Dervishi, duke shtuar se infermierja që ka qenë e pranishme në sallë, ka qenë Shpresa Makolli.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, i akuzuari tjetër në këtë rast, anesteziologu Sokol Hajdani, ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Më 10 prill 2013, Sokoli kishtë dhënë mbrojtjën e tij në gjykimin e mëparshëm, por në këtë rigjykim, ai ka deklaruar se dëshiron të mbrohet në heshtje.

Avokati i tij, Ramë Gashi, ka kërkuar nga gjykata që në rastin e marrjes së vendimit të mos marrë për bazë deklarimin e tij në lidhje me provat të cilat edhe ishin shpallur të papranueshme në këtë shqyrtim gjyqësor.

Seanca është duke vazhduar.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”        

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty./betimiperdrejtesi.com