Lushtaku e Selimi, dalin për kafe në QKUK

Dy të dyshuarit nga i ashtuquajturi “Grupi i Drenicës”, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, pavarësisht se janë në paraburgim, për më shumë se një orë e gjysmë, të mërkurën, kanë qëndruar në lokalin “Klubi”, që gjendet në oborrin e QKUK-së.

Lajme

02/10/2014 08:59

Zyrtarët e QKUK-së kanë thënë të mos jenë në dijeni nëse ata u janë nënshtruar kontrollove mjekësore, ndërsa ata të Burgut të Dubravës konfirmojnë se të dytë kanë pasur leje për kontroll dhe se kjo ndodh shumë shpesh.

Burime të gazetës “koha Ditore” kanë thënë se aty ata kanë qëndruar pa praninë e gardianëve të burgut.

“Ka qenë ora 11 e 30 minuta, kanë qëndruar në kafenenë ‘Klubi’ për më shumë se një orë e gjysmë. Në tavolinë kanë qenë edhe tre persona të tjerë, njëri nga të cilët me mantel të bardhë”, ka thënë burimi.

Lushtaku e Selimi, sipas tij, nuk janë kontrolluar fare në ndonjërën nga klinikat.