Lugina ngrinë bisedimet me Qeverinë e Serbisë

Kryetar i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, thotë se pala serbe duhet t’i ofrojë palës shqiptare në një afat periodik për zgjidhjen e disa çështje që me vite të tëra s’janë zgjidhur.

Lajme

08/12/2013 09:26

Lugina e Preshevës dhe Qeveria e Serbisë nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për realizimin e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë pjesë.

Mospajtimet kanë çuar në ngrirjen e bisedimeve mes palëve.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës kërkojnë gjykatat, regjistrim të drejtë të popullsisë, zgjidhjen e problemeve shëndetësore dhe ekonomike.

Një pikë tjetër e mospajtimeve është përdorimi i Flamurit Kombëtar nga shqiptarët e Luginës, me çka nuk pajtohet  Qeveria e Serbisë, sipas të cilës, shqiptarët s’mund të përdorin flamurin kuqezi pasi është i një shteti tjetër.

Riza Halimi, deputet i Luginës në Kuvendin e Serbisë ka thënë për Top Channel se presin  ndihmë nga Shqipëria dhe Kosova për të realizuar të drejtat e tyre.

“Veç ndihmës që Shqipëria mund të japë, ne presim ndihmë prej Qeverisë së Kosovës përmes bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel”.

“Në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të trajtohet edhe çështja e Luginës së Preshevës”.

“Është e papranueshme që kjo nuk është diskutuar deri tani”.

Kryetar i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka thënë për Top Channel se pala serbe duhet t’i ofrojë palës shqiptare në një afat periodik për zgjidhjen e disa çështje që me vite të tëra s’janë zgjidhur.

“ Ato nuk mund të zgjidhen menjëherë, por duhet të fillojë diçka në mënyrë që shqiptarët të shohin se qeveria serbe ka vullnet për t’i zgjidhur problemet”.

“Por këtë vullnet ende nuk e kemi parë”, thotë nga ana tjetër Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit”.