Lugina kërkon një përfaqësues të saj në Qeverinë e Kosovës

Formimi i institucioneve të Kosovës i ka gëzuar udhëheqësit e Luginës së Preshevës, të cilët shpresojnë se kjo qeveri do të jetë më e fokusuar për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Madje, sipas tyre, qeveria e krijuar nga dy partitë më të mëdha në Kosovë do duhej ta kishte një përfaqësues të Luginës së Preshevës, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë me atë se çka ndodh në pjesën lindore të Kosovës.

Lajme

14/12/2014 10:50

Kreu i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë për KosovaPress, se për shqiptarët e Luginës së Preshevës bërja e institucioneve të Kosovës me votat e shumicës ka krijuar një siguri, ngase të gjithë sytë e mendjet i kanë në Prishtinë.

Por, sipas tij, kjo qeveri duhet të merret më shumë me çështjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe të kërkohen të drejta analoge me të drejtat e serbëve veçmas në veri të Kosovës.

“Po aq sa qeveria serbe është e interesuar për avancimin në shkallë sa më të lartë të të drejtave të serbëve, posaçërisht në veri, po aq duhet të jetë edhe angazhimi i Qeverisë së Kosovës për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Dhe, këtu nuk ka dyshim se është absolutisht e lejuar në rrafshin politik edhe në regjion, por edhe në Evropë që të merren masa proporcionale për zgjidhjen e problemeve të pakicave kombëtare që janë të shpërndara në shtetet e tjera”, tha Mustafa.

Duke qenë se në dialogun e zhvilluar deri më tani në mes Prishtinës dhe Beogradit nuk është përfshirë si temë çështja e shqiptarëve të Luginës, Mustafa thotë se është domosdoshmëri që në bisedimet e radhës të vihet përfundimisht në agjendën e bisedimeve edhe çështja e Luginës së Preshevës dhe e shqiptarëve aty.

“Ne vazhdimisht jemi duke trumbetuar dhe duke kërkuar si nga shteti amë, Shqipëria, por edhe nga shteti i Republikës së Kosovës, që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë në problem, probleme që duhet zgjidhur. Tani janë në pozitë Qeveria e Kosovës që të ndihmoj zgjidhjen e problemeve të qytetarëve të Luginës duke kushtëzuar bisedimet Prishtinë-Beograd në Bruksel me futjen në agjendë edhe të problemit të shqiptarëve në Luginë. Duke krahasuar gjithmonë me shkallën e të drejtave të serbëve në veri të Kosovës”, thekson ai.

Numri një i Preshëvës, Mustafa, thotë se kjo jo që është një vullnet i mirë i autoriteteve të Qeverisë së Kosovës, por është domosdoshmëri e kohës, është obligim kombëtar dhe do të jetë shumë vonë pas shumë vitesh të thuhet se nuk e kanë ditur se u desh të futej në agjendë çështja e shqiptarëve të Luginës.

Edhe kryetari i Bujanocit, Jonuz Musliu thotë se është koha që edhe zëvendëskryeministri i tashëm, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri, Isa Mustafa, së paku ta kenë një pikë mbështetëse për shkak të reciprocitetit me veriun edhe Luginën. Ata duhet të jenë me të angazhuar rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës, thotë Musliu, i cili mendon se qeveria e re duhet ta ketë një zyrë dhe një përfaqësues të Luginës së Preshevës për të raportuar për atë që ndodh në atë pjesë të banuar me shqiptarë.

“Mendoj se duhet marrë seriozisht tash, dhe është dashur së paku ne ta kemi një përfaqësues drejtpërdrejt në Qeverinë e Kosovës që të trajtohet dhe të informohet Qeveria e Kosovës nga burimet që vijnë nga Lugina e Preshevës. Që ta kemi një zyrë që raporton çdo mbledhje në Qeveri se çka po ndodh në Luginën e Preshevës. Dhe, kjo mendoj se është ajo afërsia mes Luginës së Preshevës dhe Qeverisë”, tha Musliu.

Duke komentuar pjesëmarrjen e listës serbe në Qeveri dhe vënien e disa kushteve, Musliu tha se duhet pasur kujdes, sidomos kur është fjala për emërimin e zëvendësdrejtorit të AKI-së dhe zëvendëskomandantit të FSK-së, që, sipas tij, janë dy shtyllat kryesore të Kosovës, pasi njëra mbron territorin e Kosovës dhe tjetra kontrollon territorin e Kosovës.

Ndërsa, kreu i Preshevës Ragmi Mustafa thotë se nuk është e meritueshme që Qeveria e Kosovës të vihet në sistem varësie nga deputetët serbë që kontrollohen dhe dirigjohen nga Beogradi zyrtar, pikërisht nga kryeministri Vuçiq.

Megjithatë, ai beson se dy subjektet politike me të mëdha në Kosovë dhe me bagazh të madh politik do të jenë në gjendje që në periudhën afatshkurtër t’i tejkalojnë edhe këto situata.

(KosovaPress)