Luftë klasike për pushtet mes Mustafës e Sejdiut

Përplasjet e fundit mes Isa Mustafës e Fatmir Sejdiut, analisti Agron Bajrami i sheh si luftë klasike për pushtet dhe asgjë tjetër. Thotë se Sejdiu s'do të mund ta rrëzojë Mustafën para zgjedhjeve nacionale, të cilat do ta përcaktojnë epilogun e kësaj beteje.

Lajme

27/01/2014 10:36

Fatmir Sejdiu ka shpalosur tashmë hapur ambiciet e tij për t’u rikthyer në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ditëve të fundit ai ka mobilizuar përkrahësit e tij dhe ka përforcuar kërkesën për të mbajtur sa më shpejt Kuvendin Zgjedhor në LDK, me synim për t’ia marrë nga duart timonin e partisë Isa Mustafës, njeriut që e mundi katër vjet më parë, në nëntor të vitit 2009.

Por, cilat janë gjasat e Kryetarit të Nderit të LDK’së, Fatmir Sejdiut, në këtë betejë të re përballë dikur ish këshilltarit të tij, Isa Mustafa, e sot rivalit kryesor?

Analisti Agron Bajrami, Kryeredaktor i Kohës Ditore, thotë në një intervistë me shkrim për lajmi.net se Fatmir Sejdiu nuk do të mund ta rrëzojë kryetarin aktual, Isa Mustafa, para zgjedhjeve nacionale që pritet të mbahen këtë vit.

E rezultati i këtyre zgjedhjeve, ai thotë se do ta determinojë epilogun e kësaj përballjeje. 

Agron Bajrami

Lajmi.net: Si i shihni përplasjet e fundit në LDK, mes përkrahësve të Kryetarit aktual Isa Mustafës dhe ish Kryetarit Fatmir Sejdiut?

Agron Bajrami: I shoh si luftë klasike për pushtet, asgjë tjetër. Njëra palë lufton për të ruajtur kontrollin e partisë, tjetra për ta marrë kontrollin. Në polemikat e tyre nuk ka debat përmbajtjesor për drejtimin që duhet ta marrë partia, nuk ka konkurrencë strategjish e vizionesh, nuk ka oferta të reja që do të bënin garën për kreun e partisë përmbajtjesore e as argumente pse gjërat duhet apo nuk duhet ndryshuar në këtë parti, që është partia më e madhe opozitare në Kosovë.

Pra, nuk ka asnjë shenjë se përpjekjet për të mbetur në krye të partisë, apo për të ardhur në krye të partisë, bëhen për një të mirë më të madhe. Gjithçka duket se bëhet vetëm për të ruajtur apo përmirësuar pozicionet e strukturave brenda partisë.

Lajmi.net: Sa mendoni se ka gjasa Kryetari i Nderit i LDK’së, Fatmir Sejdiu, të ketë sukses nga kjo përpjekje për ta rimarrë LDK’në?

Agron Bajrami: Në këtë moment, kur zgjedhjet e përgjithshme po afrohen, nuk mendoj se ish kryetari i LDK-së mund të arrijë synimin për ta rrëzuar kryetarin aktual të partisë.

Më pas, gjithçka do të varet nga rezultati që LDK mund të arrijë në zgjedhjet e përgjithshme.

Lajmi.net: A mund t’i ndodhë LDK’së një përçarje e re, pas kësaj përpjekjeje të Sejdiut?

Agron Bajrami: Nuk ka përçarje të re! Është një përçarje që ekziston prej momentit kur Sejdiu u rrëzua nga kreu i partisë, prej Isa Mustafës. Gjithë këto vite, kjo përçarje ka ekzistuar, vetëm se nuk është nxjerrë në publik. Tani, me disfatën e merituar të Mustafës në Prishtinë, Sejdiut i është shfaqur rasti për të sulmuar në përpjekje për t’ia “kthyer borxhin” Mustafës – për ta rrëzuar atë nga kreu i partisë.

Por, pa fuqi të mjaftueshme brenda partisë, Sejdiu e ka të vështirë ta arrijë këtë, ndërsa opsioni që të dalë nga partia e të krijojë një subjekt të ri nuk më duket i qëndrueshëm për Sejdiun.

Po ta ndërmerrte atë hap – pra ndarjen nga partia dhe themelimin e një subjekti tjetër – z. Sejdiu do të fundosej përfundimisht. Sikur që u ka ndodhur shumë të tjerëve më parë – prej Bujar Bukoshit e Edita Tahirit, deri te Nexhat Daci e Ukë Rugova, asnjë nuk ka arritur të krijoj diçka vet; të gjithë është dashur të “shiten” tek partitë tjera, për të mbijetuar në politike. 

Ndërkohë, LDK-ja vazhdon të jetojë me përçarjen e krijuar nga përleshja politike mes Sejdiut e Mustafës, dhe, si i shoh unë gjërat, më duket se të dy palët do të presin zgjedhjet e përgjithshme për të parë çka tutje.

Lajmi.net: A shihni ju një mundësi për akomodimin e interesave (kërkesave) të të dyja palëve?

Agron Bajrami: Po cilat janë kërkesat? Sejdiu të bëhet Kryetar i LDK’së sërish? Çka të ndodh me Isa Mustafën? Që një akomodim të ndodhë, dy palët duhet të definojnë kërkesat dhe të ulen e të negociojnë. Sa po e shoh unë, as nuk janë definuar kërkesat (përveç pretendimeve për kryesim të partisë) as nuk ka vullnet për të biseduar…

Kështu, konflikti do të mbetet i gjallë deri sa të mos zgjidhet nga një faktor i jashtëm – në këtë rast, mendoj se do të jenë zgjedhjet e përgjithshme ato që do ta përcaktojnë fatin politik të Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut.

Lajmi.net: Këto përplasje a mund ta dëmtojë LDK’në në zgjedhjet nacionale? 

Agron Bajrami: Sigurisht se e dëmton. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me përplasjen Mustafa-Sejdiu. Mendoj se kur një parti nuk e definon veten në aspektin vizionar, kur individët e mbledhur në një parti e reduktojnë gjithçkafin në luftë për të siguruar një pozitë pushteti brenda strukturës partiake dhe nuk u intereson të flasin për vizionin, ideologjinë, synimet afatgjata strategjike, politikat dhe zbatimin e tyre; kur debatet brenda partisë bëhen jo rreth asaj se cili është synimi politik por rreth asaj se cili duhet të jetë kryetari; kur anëtarësia duhet të përcaktohet për lojalitet ndaj një figure, dhe jo ndaj një program e vizioni – një parti e tillë gjithmonë do të jetë e dëmtuar, dhe, që është edhe më keq, do të jetë e dëmshme për shoqërinë e gjerë dhe institucionet.

Të kuptohemi, nuk mendoj se LDK-ja është e vetmja parti e tillë. Në fakt mendoj se problemi i Kosovës qëndron më së shumti në faktin se po thuaj të gjitha partitë janë të tilla. E tillë është edhe PDK’ja…

Dhe PDK’ja është shembulli më i mirë se as fitorja në zgjedhje nuk i zgjidh telashet e partisë që janë rezultat u mungesës së demokracisë së brendshme.

Dhe kjo, në fakt, është problem i elitës politike të Kosovës. Mungesa e demokracisë!