Llukshiq pranon iniciativën e Thaçit për thellim të bashkëpunimit rajonal

E plotësuar: Miqësia midis Kosovës dhe Malit të Zi është model për vendet tjera në rajon dhe këtë traditë duhet ta ruajmë, ka deklaruar në Podgoricë zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Lajme

16/01/2015 11:31

Të dy zëvendësministrat kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka falënderuar z. Llukshiq për mbështetjen që Mali i Zi i ka dhënë Kosovës në forcimin e shtetësisë, fillimisht me njohjen e pavarësisë, më pas edhe në anëtarësimin në organizata të ndryshme rajonale.

Thaçi ka theksuar nevojën e bashkëpunimit të ndërsjellë në agjendën e përbashkët euroatlantike, duke mbështetur anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në NATO. Në këtë takim është biseduar edhe për projekte konkrete të bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi kanë të njëjtin vizion për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Në këtë drejtim, ky anëtarësim është në interes jo vetëm të Malit të Zi, por edhe për sigurinë afatgjate të rajonit tonë”, ka shtuar ai.

Në këtë takim dy zëvendëskryeministrat kanë biseduar për procesin e demarkacionit mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe janë zotuar se do të përfundojë në këtë vit.

Zëvendëskryeministri Thaçi para shumë gazetarëve ka theksuar se do të ketë një intensifikim të takimeve të grupeve punuese për demarkacionin e kufirit.

“Një marrëveshje e tillë do të ishte një dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira mes shteteve tona dhe një mesazh i bashkëpunimit për tërë rajonin”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se procesi i demarkacionit të kufirit është edhe një përmbushje e vlerave evropiane.

“Ne kemi një miqësi të hershme me popullin malazez, përpara se të ishim shtete. Prandaj, marrëdhëniet tona ndërshtetërore duhet të shërbejnë si shembull për rajonin, ka shtuar  zëvendëskryeministri Thaçi.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiq ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Thaçi për të arriturat në Kosovë.

Ai ka thënë se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen për Republikën e Kosovës në të gjitha fushat e bashkëpunimit, sidomos në shkëmbimin e përvojave që ndërlidhen me proceset euroatlantike.

“Me këtë  takim ne po vazhdojmë  marrëdhëniet e mira që ne i kemi ndërtuar. Vitin e kaluar ne kemi nënshkruar nëntë marrëveshje, derisa shumë te tjera janë në proces të nënshkrimit. Kusht për suksesin e integrimeve evropiane janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”, ka shtuar ai.

—————————

Prioritet, fqinjësia e mirë

E plotësuar: Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në këto momente është duke zhvilluar një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. 

Që në nisje të këtij takimit, derisa janë bërë fotot dhe marrë pamjet filmike nga mediat, Thaçi dhe Gjykanoviq kanë bërë të ditur se fqinjësia e mirë duhet të jetë prioritet për të gjitha vendet në rajon, dhe se Kosova dhe Mali i Zi mund të jenë shembull i mirë për këtë qasje. 

Zëvendëskryeministri Thaçi, takimin e parë në Podgoricë e ka zhvilluar të premten me homologun e tij malazez, zëvendëskryeministrin, njëherësh edhe ministër i Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiq.

Thaçi dhe Llukshiq kanë theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje në fusha të ndryshme, si dhe shkëmbimin e përvojave midis dy vendeve, sidomos ato që kanë të bëjnë me proceset integruese në strukturat euroatlantike.

————————————————

Thaçi dhe Llukshiq premtojnë thellim të bashkëpunimit midis Kosovës e Malit të Zi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka filluar vizitën e parë zyrtare në Mal të Zi, ku është pritur nga homologu i tij malazez, zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm dhe Integrimeve Evropiane të Malit të Zi, Igor Lukshiq.

Që të dy bashkëbiseduesit kanë theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve fqinje në fusha të ndryshme, ekonomike, infrastrukturore dhe kulturore, si dhe shkëmbimin e përvojave që kanë të bëjnë me proceset integruese në strukturat euroatlantike.   

Në këto çaste Thaçi dhe Llukshiq po mbajnë konferencë të përbashkët për media në Podgoricë, ndërkohë që gjatë ditës, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës pritet të takohet edhe me kryeministrin Milo Gjukanoviq, me kryetarin e parlamentit, Ranko Krivokopiq, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviq. 

Zëvendëskryeministri Thaçi gjatë qëndrimit në Podgoricë do të takohet gjithashtu me përfaqësuesit kryesore të bizneseve malazeze, ku do të kërkoi më shumë shkëmbim tregtar mes bizneseve kosovare dhe atyre të Malit të Zi.

Vizitën zyrtare ai do ta vijojë në Ulqin, ku në shenjë nderimi do të vendosë kurorë me lule në memorialin dedikuar të dëbuarve të luftës së Kosovës më 1999.

Ndërsa më vonë, zëvendëskryeministri Thaçi do të takohet me përfaqësuesit kryesorë politik shqiptarë, me të cilët do të bashkëbisedoj për gjendjen aktuale të shqiptarëve si dhe avancimin e drejtave të tyre në Mal të Zi.

Kjo është vizita e parë zyrtare e zëvendëskryeministrit Thaçi në këtë shtet fqinj dhe po përcjellët me një interes shumë të madh të medieve dhe opinionit publik.