LDK: Kuvendi i Kosovës të vendos vijë të kuqe për Presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që Presidenti i Kosovës, është i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë.

Lajme

28/06/2018 19:23

Sipas LDK-së, ende pa nisur mirë ky dialog, Presidenti hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë së Kosovës.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në një komunikatë për media të LDK-së, raporton lajmi.net.

Duke ju referuar deklaratave të Presidentit, LDK konsideron që proces i pakushtëzuar ndaj rendit kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, sipas LDK-së është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka folur për takimin e së dielës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Thaçi i pyetur nga gazetarët për kritikat e opozitës se ai po e udhëheq dialogun pa përkrahjen e skenës politike në vend, tha se roli i tij si president, është një rol i zgjedhur nga populli dhe Kuvendi, dhe kjo çështje si e tillë nuk duhet të personalizohet.

“Presidenti është i zgjedhur nga kuvendi dhe përfaqësuesit e popullit të Kosovës, kjo çështje nuk është individuale ose personale, dhe presidenti e ka legjitimitetin kushtetues për të dialoguar”, është shprehur Thaçi.

Tutje Thaçi ka thënë se rëndësia e kësaj qëndron në atë se të gjitha partitë politike në Kosovë janë pro-dialogut.

“Do të jetë një periudhë jo e shkurtë kohore kur duhet të marrim të gjithë përgjegjësi , dhe pastaj ato mundësi që do të ofrohen, përgjigjen të marrim bashkarisht dhe po ashtu edhe përgjegjësinë”, deklaroi  Thaçi.

Në fund, Thaçi tha se Kosova duhet të sigurohet që kjo është faza finale e dialogut për një zgjedhje të përhershme dhe jo të përkoshme.

“Dëshiroj të theksoj se ky proces është përfunditmar, nuk duhet të jetë hap i përkohshëm, duhet të punojmë shumë që kjo të jetë edhe negociata e fundit me Serbinë”, u shpreh Thaçi./Lajmi.net//Lajmi.net/