Lista unike do ta përçante “bllokun”

Partitë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, e që janë bërë bashkë pas zgjedhjeve, nuk do ta kenë të lehtë t’i hyjnë një procesi të parakohshëm zgjedhor me një listë të përbashkët.

Lajme

16/10/2014 09:29

Më të lehtë, pritet ta ketë Partia Demokratike të Kosovës, e cila tashmë ka deklaruar se në zgjedhje të reja do hynte në koalicion me AKR-në, PD-në dhe me minoritetet, shkruan ‘Tribuna’.

Por nëse Blloku hyn në zgjedhje bazuar në marrëveshjen e arritur për krijimin e institucioneve të reja, atëherë listës do t’i printe i nominuari i këtij Blloku për kryeministër, Ramush Haradinaj, i pasuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Lufta për vendin e tretë do të zhvillohej në mes të Fatmir Limajt dhe Vjosa Osmanit. Pjesë e dhjetëshes së parë pritet të jenë edhe Sabri Hamiti, Blerim Shala, Ismet Beqiri, Jakup Krasniqi, Kujtim Shala dhe Avdullah Hoti.

Mirëpo për nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi, përpilimi i listave nuk do të paraqiste aspak problem për Bllokun. Sipas tij, Blloku është duke punuar në jetësimin e marrëveshjes për krijimin e institucioneve të reja, por nëse vendoset për zgjedhje, atëherë Blloku do të hyjë i bashkuar.

“Nuk ka rëndësi se kush do t’i prijë listës apo kush do të jetë në dhjetëshen e parë, por me rëndësi është se ne do t’i fitojmë zgjedhjet”, ka thënë Isufi.