Lista Serbe në Berlin, Jevtiq: Mirë ka bërë Prishtina për Asociacionin, por…

Një delegacion nga Lista Serbe po qëndrojnë në Berlin, ku në takime të ndara janë takuar me përfaqësues të ndryshëm të kabinetit të Kancelarës Gjermane, Angela Merkel.

Lajme

18/04/2018 19:10

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e shfrytëzoi rastin që edhe një herë të ankohet para perëndimit lidhur me arrestimin e drejtorit të ashtuquajturës zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, transmeton lajmi.net.

“Kur dikush e rrezikon paqen, kur dikush sulmon përfaqësuesit legjitim të serbëve, ashtu siç ndodhi më 26 mars, kur dikush e trajton shefin e grupit negoaciator si terrorist dhe kriminel, atëherë është e qartë se dikush po e shfrytëzon situatën për të arritur qëllimet e veta. Gjithsesi, unë jamë më i shqetësuar për mungesën e reagimit nga faktori ndërkombëtar, ngase duhet të kuptohet realisht se sa e rrezikshme është situata”, deklaroi Rakiq.

Sipas Rakiq, ardhja në Berlin e Listës Serbe ka për qëllim gjetjen e investitorëve të ri, në mënyrë që siç thotë ai “të sigurohet stabilitet ekonomik i serbëve në Kosovë”.

E nga ana tjetër Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq, e përkrah fillimin e punës për formimin e Asociacionit nga qeveria e Kosovës.

“Është një vendim i mirë i Prishtinës aktivizimi i Ekipit Menagjues për formimin e Asociacionit, që do të thotë implementim i marrëveshjes së Brukselit, mirëpo ajo që ne nuk duam është që ai të formohet sipas Kushtetutës së Kosovës”, thotë Jevtiq.

Madje Rakiq thotë se liderët institucional kosovarë nuk kanë kurajo dhe aftësi udhëheqëse, e në anën tjetër Presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, e quan “një lider të vërtetë, dhe partner shumë të rëndësishëm”./Lajmi.net/