Limaj: Mosanëtarësimi në INTERPOL, nënkupton më pak siguri e stabilitet në rajon

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka reaguar për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Lajme

20/11/2018 15:10

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, pas dështimit të Kosovës që të anëtarësohet në INTERPOL, ka thënë se kjo i krijon mundësi dhe hapësirë krimit të organizuar dhe kriminelëve që t’i ikin drejtësisë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Limaj po ashtu ka thënë se, shpallja si fitore nga ana e Serbisë për mosanëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, tregon qartë edhe një herë se udhëheqja shtetërore serbe as nuk ka qenë dhe as nuk është për paqe, stabilitet, normalizim e bashkëpunim në rajon.

Reagimi i plotë i Limajt pa ndërhyrje:

Mospranimi i Kosovës në Interpol është lajm i keq për ata që duan më shumë siguri, paqe e stabilitet dhe për të gjithë ata që kanë nevojë për partneritet në luftimin e krimit dhe rrjeteve terroriste.

Vota kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol nënkupton më pak siguri e stabilitet në rajon, më shumë hapësirë e mundësi për krim të organizuar dhe mundësi që kriminelet t’i ikin drejtësisë.

Shpallja si fitore e Serbisë për mosanëtarësimin e Kosovës në Interpol shpërfaq edhe njëherë qartë së udhëheqja shtetërore serbe as nuk ka qenë dhe as nuk është për paqe, stabilitet, normalizim e bashkëpunim në rajon.

Në fakt Vuçiqi i ka thënë qartë arsyet se pse ata i frikësohen anëtarësimit të Kosovës në Interpol sepse kjo do t’ia mundësonte Kosovës t’i ndiqte të dyshuarit që kanë kryer krime e gjenocid në Kosovë. /Lajmi.net/