Limaj: Me Specialen po na shkelet sovraniteti

Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj, ka kërkuar nga kolegët e tij deputetë që të mos e ngrenë dorën për votim kur në rend të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës të jenë amandementimet për ndryshime kushtetuese rreth Gjykatës Speciale.

Lajme

13/05/2015 13:41

Kjo gjykatë për Fatmir Limajn është veç se shkelje e sovranitetit të Kosovës dhe se krijimi i saj do të jetë një shenjë e cila do të mbahet mend nga kjo legjislaturë.

Për Limajn, Kuvendi i Kosovës është vetëm një kukull të cilës i kërkohet të ngris dorën, e nuk e ka rolin e tij që, sipas kushtetutës të vendos me pavarësi të plotë.

Këto kërkesa erdhen pasi që Komisioni për Legjislacion procedoi në Kuvend amendamentin për ndryshime kushtetuese e cila i hap rrugë themelimit të kësaj Gjykate Speciale.

Kundërshtime dhe kërkesa për të mos shkuar ky amendament pat edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryetare e këtij komisioni Albulena Haxhiu.

Ajo mori vetëm tri, kundrejt gjashtë votave që ishin për procedimin e këtij amendamenti pa rekomandime për seancën.

Ndërsa deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se ky amendament duhet t’i shkojë seancës dhe janë deputetët që vendosin se si do të procedohet më tutje.

E deputetja Doruntinë Maloku ka thënë se nëse vetë nuk e formojnë Gjykatën Speciale, atëherë do ta formojë Këshilli i Sigurimit dhe Kushtetuta e Kosovës lejon bartjen e sovranitetit tek një institucion tjetër ndërkombëtarë në raste të veçanta.