Liderët politikë, përveç atyre të VV-së injorojnë pritjen solemne të Ipeshkvisë

Përfaqësues fetarë, institucionesh, ushtarakë e diplomatë ishin në Ipeshkvinë e Kosovës në orët e pasdites të së dielës. Por, liderët kryesorë politik në vend, përveç atyre të Vetëvendosjes, nuk i dhanë shumë rëndësi pritjes solemne të organizuar nga Ipeshkvia.

Lajme

05/04/2015 21:38

Në pritjen solemne që iu bë atyre nga Ipeshkvia, ipeshkvi Dodë Gjergji iu tha se duhet guxim për të shpresuar dhe ndryshuar.

Sa i përket udhëheqësve të subjekteve politike, aty ishte vetëm Visar Ymeri i Vetëvendosjes, i shoqëruar nga kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Të tjerët kishin dërguar përfaqësues.

Gjergji u tha atyre që shkuar për të uruar këtë festë, se Pashkët janë festë e shpesës.

“Një gjë dëshiroj të them, se guximi për të shpresu dhe ndryshu është pasuri dhe mundësi e secilit. Askush mbi tokë nuk mund të na ndal të ndryshojmë, askush mbi tokë nuk mund të na ndal të shpresojmë”, tha ai.

Kjo pritje solemne, përmbyll aktivitetet e Ipeshkvisë së Kosovës për Festën e Pashkëve.

Në Kishën Shën Ndou, është mbajtur Mesha e Ditës së Pashkëve, e një natë më parë ishte Mesha Qendrore në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Aty Dodë Gjergji përmendi korrupsionin në vendin tonë, shumë të këqija të tjera e edhe ikjen e qytetarëve nga vendi.

Të shtunën foli edhe për përgjegjësitë shoqërorë dhe politikë, ku tha se luten që ata të ndryshojnë mendësinë egoiste dhe dëshirën lakmitare.

Në meshën e së shtunës u pagëzuan shtatë persona.

Festa e Pashkëve është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit e që sipas Besëlidhjes së Re, ka ndodhur tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.