Lëvizja për Bashkim frikësohet se Kosovës po i përgatitet skenar i keq me idenë për korrigjim kufijsh

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka folur për qëndrimet e kësaj lëvizjeje rreth bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështjes për korrigjim kufijsh.

Lajme

15/08/2018 14:56

Ai ka thënë se Kosovës po i mungon një platformë politike.

“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të futen në një fazë kritike që nga muaji shtator i këtij viti. Kosovës i mungon platforma politike dhe rrjedhimisht i mungon një konsensus politik i plotë. I tërë debati po zhvillohet se kush do t’i udhëheqë këto bisedime, ndërsa aspak se çfarë përmbajtje duhet të kenë ato bisedime”, ka thënë ai.

Lëvizja për Bashkim ka ftuar të gjitha partitë politike që ta hartojnë një platformë të përbashkët politike, e cila, sipas Muratit, do të mundësonte caktimin e konsensusit të brendshëm dhe do të ndërtontë një pozicion në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Ne u bëjmë ftesë të gjitha partive politike që urgjentisht të ulen dhe të hartojnë një platformë të përbashkët politike. Kjo platformë do të duhej të jetë mundësia më e mirë për ta caktuar konsensusin e brendshëm, për të ndërtuar një pozicion në raport me Serbinë, por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare”.

Murati e ka komentuar edhe çështjen për korrigjimin e kufijve, për të cilën ka thënë se Lëvizja për Bashkim frikësohet që për Kosovën po përgatitet skenar i keq që mund të përfundojë me autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë, raporton EO.

“Zhurmat e fundit për korrigjim kufijsh na bëjnë të frikësohemi se Kosovës po i përgatitet skenari më i keq , ai i instalimit të asociacionit të komunave serbe, i cili në rrethana të një dialogu politik, mund të përfundojë me konsekuenca ekzekutive, dhe një autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë. Kjo zgjidhje e dëmton rëndë funksionalitetin e Kosovës, i cili edhe pa këtë asociacion është i dëmtuar për shkak të shkëputjes, e posaçërisht pakica serbe ka privilegje juridike të cilat i shfrytëzon në vazhdimësi për ta bllokuar shtetin e Kosovës”.

“Ne frikësohemi se fundi i kësaj zgjidhjeje, në një të ardhme do të përfundojë me ndarje të Kosovës.