Lëvizja kundër dhunës

Tek ne kemi dukurinë e familjarizimit me dhunën, e bashkëjetesës me te, qoftë me justikimin e saj, apo edhe me injorimin e saj, thuajse secili prej nesh nuk mund të jetë viktimë e saj.

Opinion

21/09/2017 18:23

Nuk kalon java në jetën tonë në këtë vend, që nuk ndodhë një ngjarje që zgjon reagime të shumta publike dhe private, në përpjekje për të dhënë shpjegime për to. Të gjithë ne kemi çka të themi, dhe nuk ka kush të na ndalë që të shprehim mendimet tona: Në familje, në rrjetet shoqërore virtuale, në ato rrjetet shoqërore klasike, në kafene, në ndeja, kudo.

Vrasja e një gjashtëmbëdhjetëvjeçarit në Prishtinë, nga një tjetër i ri, të shtunën e kaluar, mbase, pati jehonën më të madhe të mundshme kur flitet për reagimet e qytetarëve të zakonshëm të kryeqytetit dhe të gjithë Kosovës.

Duket që e tëra, në këtë aspekt, ka arsyen e vet. Në këtë shoqërinë tonë viteve të fundit ka dhunë sa të duash, të të gjitha llojeve, por secili segment i saj, disi është i kategorizuar  (apo ne mendojmë që është i tillë), në bazë politike apo kriminalistike. Qytetarët e rëndomtë besojnë  (jo vetëm këtu, por edhe kudo në Perëndim), që nëse nuk je i lidhur me ndonjë parti politike, nuk ke si të bëhesh viktimë e dhunës me prapavijë politike. Apo, nëse nuk je disi i involvuar në qarqe të krimit të të gjitha llojeve, nuk ke pse t’i druash më të keqes. Natyrisht, terrorizmi si kërcënim (i cili gjithsesi vlenë edhe për Kosovën), mund të na godet të gjithë neve, sepse ai zatën rëndom sulmon caqet më të lehta, çfarë janë qytetarët e pambrojtur, por në rastin tonë, ne, për fatin tonë të madh  (dhe në vijim të funksionimit të mekanizmave shtetëror të sigurisë), ende nuk jemi përballur me një ngjarje të rëndë të këtij lloji.

Sidoqoftë, vasja e një të riu në Prishtinë, u përjetua pikërisht si një ngjarje që preku të gjithë ne, këtu në këtë qytet. Të gjithë ata që janë banorë të Prishtinës, u ndien tepër keq për shkak të vetë karakterit të kësaj vrasjeje. Shumë prej këtyre qytetarëve janë prindër, dhe i kanë fëmijët në shkollë. Sado që në çdo vrasje ka shumëçka specifike, vet rasti i kësisojt, ka shtuar në mënyrë dramatike shqetësimin në Prishtinë, për shkallën e sigurisë në këtë qytet, në shkollat tona, në rrethet ku sillet rinia.. Ata që kërkojnë ngushëllim, thanë që edhe në shtetet më të zhvilluara të Perëndimit, ka vrasje midis të rinjëve. Por si këta ashtu edhe të gjithë të tjerët, iu lutën Zotit që të mos sprovohen me dhimbje të këtillë, e cila është gjithpërfshirëse: Ajo, siç e pamë të gjithë ne, goditi dy familje, të afërmit e tyre, nxënësit, prindërit, qytetarët, të gjithë.

Ka gjasa të mëdha që drejtësia në këtë rast do të vihet në vend, si thuhet. Por, ashtu si edhe në shembujt e ngjashëm, kur viktimat janë gratë e pambrojtura në familje, fëmijët e kanosur nga droga, ata që ende pësojnë për shkak të rikthimit në fuqi të Kanunit, apo edhe viktimat nga aksidentet e trafikut, drejtësia asnjëherë nuk ia del t’i vë ‘hesapet në vend’, sepse ajo nuk garanton që nuk do të ketë përsëritje të këtyre rasteve, apo që së paku, do të ketë ulje të ndjeshme të tyre. Të mos mashtrohemi: Askund në Botë nuk mund të ketë çrrënjosje të këtyre dukurive.

Shteti mund të funksionojë më mirë, pushteti komunal poashtu, por edhe ne të gjithë, si pjestarë të kësaj shoqërie do të mund të ndryshojmë qasjen tonë ndaj dhunës së të gjitha llojeve, që është shtuar në mënyrë thelbësore viteve të fundit. Rëndom, ne reagojmë vetëm kur prekemi ne vet, ose interesi i ynë, nga dhuna në këtë qytet dhe në këtë vend. Rrallëherë ndodhë, dhe jo në shkallën e duhur, që të solidarizohemi me viktimën, apo me cakun e dhunës.

Në realitet, tek ne, në shoqërinë kosovare, veçmas viteve të fundit, po ndodhë dukuria e familjarizimit me dhunën, e bashkëjetesës me te, qoftë përmes justikimit të saj  (veçmas kur ajo kishte prapavijë politike), apo edhe nëpërmjet të injorimit të saj, thuajse herët a vonë, secili prej nesh nuk mund të jetë viktimë e saj.

Nga ky pikëshikim, vrasja e një të ri gjashtëmbëdhjetëvjeçarë, na bëri bashkë shumë prej nesh, në këtë qytet, sepse na bëri të ditur që ne të gjithë realisht, jemi të goditur me këtë krim.

Këtij qyteti dhe këtij vendi, i duhet një Lëvizje kundër dhunës, një ndërgjegjësim masiv kundër saj.