Lëvizja Besa: Do të dalim me kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit

Kuvendi i Maqedonisë akoma nuk ka caktuar një datë për vazhdimin e seancës plenare ku do të zgjidhej kryetari i Parlamentit të ri të vendit.

Lajme

26/03/2017 17:24

Derisa pritet vazhdimi i seancës, emri i vetëm i përfolur si kandidat i mundshëm për postin e kryeparlamentarit është deputeti i BDI-së Talat Xhaferi, edhe atë i plasuar vetëm nga BDI. Nga LSDM-ja thonë se akoma nuk kanë qëndrim nëse do ta përkrahin ose jo zgjedhjen e Talat Xhaferrit për kryetar Kuvendi.

Nga ana tjetër, Lëvizja Besa mbetet në qëndrimin se do të propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Orhan Murtezani thotë kryesia qendrore e kësaj partie nuk ka marrë ndonjë vendim për mbështetje të kandidatit të propozuar nga BDI.

“Vendimi i fundit i kryesisë qëndrore të Lëvizjes Besa, është që ne të kemi kandidatin tonë për kryetar të Kuvendit dhe nuk kemi marrë asnjë vendim për të mbështetur Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit. Ky vendim do të mbetet në fuqi deri sa kjo kryesi nuk merr ndonjë vendim tjetër”, tha Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa

I pyetur nëse po analizojnë opsionet për të qenë ose jo pjesë e Qeverisë së re, Murtazani tha se çdo vendim pa u zhbllokuar procesi dhe pa pasur një mandatar, do të ishte vendim vetëm në bazë të dëshirës për ushtet.

“Në këtë fazë nuk mund të marrim vendim për hyrje në qeveri, për shkak se ai vendim do ishte bazuar vetëm në dëshirën për pushtet, e asgjë më shumë, ashtu siç kanë bërë më disa subjekte tjera deri tani. Ne kemi thënë disa herë që për punë qeverisje mund të flasim atëherë kur të ketë një mandatar dhe atëherë kur të kemi një kërkesë ose një ofertë formale për bashkëqeverisje”, shtoi më tej ai.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët nuk dëshiron të komentojë për pjesëmarrje ose jo në Qeverinë e re të udhëhequr nga LSDM. Ndërsa, sa i përket postit të kryeparlamentarit, thonë se për Aleancën nuk është shumë me rëndësi se cili deputet shqiptar do të marrë këtë post.

“Nuk është aq e rëndësishme se cili deputet shqiptar do të ulet në ulësen e kryeparlamentarit, e rëndësishme është që Aleanca për Shqiptarët ka sjellur dhe do të sjellë ndryshime rrënjësore dhe qasje pozitive në skenën politike në Maqedoni. Për hir të së vërtetës Aleanca ka refuzuar që në pozitën e kryeparlamentarit të ulet lideri i LRPDSH-së, Ziadin Sela. Me këtë i dërgojmë porosi tërë opinionit se qasja jonë është konceptuale dhe për interesa të gjëra kombëtare, por dhe qytetare dhe jo qasje individuale dhe për interesa të ngushta”, ka deklaruar Emir Sejfullai, zëdhënës i Aleancës për Shqiptarët.

 

Pas konstituimit të Komisionit për zgjedhje dhe emërim, që pritet të bëhet nesër, mund të hapet rruga që brenda javës që vjen të thirret vazhdimi i seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare. Për konstituimin e Kuvendit duhet të zgjidhet kryetari i ri, me 61 vota deputetësh. Kandidatët për kryetarë propozohen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërim ose me iniciativë të 20 deputetëve.