Lekaj: AAK po shqyrton mundësinë e dorëzimit të mandateve (VIDEO)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës deri në zgjedhjet e ardhshme. Ky legjislacion ka përfunduar për AAK-në siç kanë përfunduar edhe veprimet për hedhje të gazit lotsjellës.

Lajme

21/03/2016 23:15

Kështu ka deklaruar deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.

“Ne do ta bojkotojmë Kuvendim deri në zgjedhjet e ardhshme dhe për ne ka përfunduar ky legjislacion”, ka thënë Lekaj.

I pyetur se a do t’i dorëzojnë mandatet deputetët e AAK-së, Lekaj ka thënë se tema për t’i dorëzuar mandatet ekziston brenda Grupit Parlamentar të AAK-së, brenda strukturave dhe nga lideri i partisë, por aktualisht ka vendim që të mos marrin pjesë në seanca.

Kurse sa i përket qëndrimit të Vetëvendosjes se do të marr pjesë në secilën seancë të Kuvendit edhe pa AAK-në e Nisma për Kosovën, Lekaj ka thënë se nuk bëhet fjalë për përçarje, por te blloku opozitar ka mendime ndryshe dhe ato mendime respektohen.

“Nuk mendoj që ka përçarje të opozitës. Jemi shumë ta bashkuar në kauzat tona të njohura. Te blloku ka mendime ndryshe, por kjo nuk do të thotë se opozita është e përçarë”, ka thënë Lekaj duke shtuar se të gjitha subjektet opozitare bashkë po punojnë për protestën e 26 marsit, që sipas tij do të jetë më e madhja që ka ndodhur ndonjëherë në shesh.

Ndërsa kur është pyetur se çka nëse Vetëvendosje hedh gaz lotsjellës në seancat e radhës së Kuvendit, deputeti i AAK-së ka thënë se janë shtjerrë hapësirat për të vepruar me gaz lotsjellës, sepse kanë qenë veprime politike dhe opinioni tani e di mirë që këto veprime e kanë arritur qëllimin dhe marrëveshjet e gushit janë shpallur të vdekura.

Lekaj ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese si dhe për zgjedhjet e parakohshme./Tribuna/

YouTube player